SHBA merr masat për uljen e deficitit tregtar me Kinën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Kina kanë rënë dakord të ulin deficitin tregtar të SHBA-ve në shkëmbimin tregtar me Kinën, ashtu që Kina do të blejë më shumë mallra amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të konsumit të popullit kinez dhe nevojës për zhvillim ekonomik të cilësisë së lartë, Kina do të rrisë ndjeshëm blerjen e mallrave dhe shërbimeve nga SHBA-të. Kjo do të ndihmojë në mbështetjen e rritjes dhe punësimit në SHBA”, thuhet në deklaratën pas përfundimit të bisedimeve midis delegacioneve të dy vendeve në të cilën nga pala kineze mori pjesë Zëvendëskryeministri Liu He.

Kina vitin e kaluar në raport me SHBA-në regjistroi suficit rekord të mallrave prej 375,2 miliardë dollarë. Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron që kjo të reduktohet në 200 miliardë dollarë deri në vitin 2020.

Trump gjithashtu imponoi 25 për qind detyrime doganore të importit të çelikut dhe 10 për qind në importet e aluminit ndërsa janë paralajmëruar edhe masa më drastike që duhet të kompensojnë humbjet që pësojnë kompanitë amerikane.

Washingtoni dhe Pekini nuk arritën të pajtohen në bisedimet e tyre të fundit mbi shifrat për uljen e suficitit tregtar kinez.

Të dy vendet po përpiqen të shmangin luftën tregtare përpara se të hyjnë në fuqi të martën tarifat doganore të SHBA-ve për importet kineze.