Reshjet e rrëmbyeshme dhe përmbytjet masive nga uragani Harvey deri më tani kanë shkatërruar rreth 40 mijë shtëpi në zonën e Hjustonit në Teksas të SHBA-ve, tha një gjykatës i qarkut të mërkurën, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne kemi njerëz që janë përballur me përmbytjen e dytë të shtëpive të tyre dhe po presin uljen e nivelit të ujërave”, tha gjyqtari i Harris County, Ed Emmett në emisionin e mëngjesit Good Morning America.
“Së bashku me qeverinë federale dhe qeverinë e shtetit, ne duhet t’i kthejmë këta njerëz në jetën e tyre normale sa më shpejtë që është e mundur”, tha Emmett, i cili është gjithashtu drejtor i Zyrës së Sigurisë Kombëtare dhe Menaxhimit të Emergjencave të qarkut.
Shefi i Policisë së Hjustonit Art Acevedo u kërkoi banorëve që mos të kthehen në shtëpi, të paktën për tani, për shkak të shqetësimeve se telat elektrik mund të çojnë në vdekje dhe lëndime të tjera.
“Ne nuk duam tragjedi të tjera”, tha ai.
Hjustoni u godit nga pesë ditë rresht me reshje të dendura të shiut duke thyer rekordet kombëtare dhe mbushur digën e qytetit.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se 24 mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare do të vendosen në shtetin e tij, nga 14 mijë sa janë aktualisht atje.
Abbott tha se ndihmat e rimëkëmbjes mund të kalojnë 125 miliardë dollarë.
Të paktën 24 persona janë raportuar të vdekur në katastrofë, përfshirë një oficer të zbatimit të ligjit, ndërsa më shumë se 8.500 janë shpëtuar vetëm në Hjuston.