SHBA lidhur me tensionet Iz’rael-He’zbollah: Askush nuk dëshiron lu’ftë më të gjerë rajonale

SHBA-ja shprehu shqetësim për tensionet në rritje midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, duke paralajmëruar kundër një konflikti më të gjerë rajonal, transmeton Anadolu.

“Kur bëhet fjalë për situatën përgjatë kufirit Izrael-Liban, fokusi ynë është të punojmë me partnerët në rajon, duke përfshirë Izraelin, padyshim, për të inkurajuar një zgjidhje diplomatike”, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder, duke shtuar:

“Unë nuk do të hyj në hipoteza apo spekulime se çfarë mund të ndodhë, përveçse të them se askush nuk dëshiron të shohë një luftë më të gjerë rajonale”.

Komentet e tij erdhën menjëherë pasi ushtria izraelite tha se ka miratuar planet për një ofensivë në Liban, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten me Hezbollahun.

Përpos kësaj, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se i dërguari i SHBA-së, Amos Hochstein aktualisht ndodhet në Liban.

“Ai po zhvillon disa diskutime të rëndësishme dhe një pjesë e këtyre diskutimeve, padyshim, kanë të bëjnë me rivendosjen e qetësisë përgjatë Linjës së Kaltër (që ndan Libanin nga Izraeli), që mbetet një prioritet kryesor për SHBA-në dhe duhet të jetë me rëndësi të madhe për të dyja vendet, Libanin dhe Izraelin”, tha Jean-Pierre.

Ajo shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë drejt një zgjidhjeje diplomatike që do të lejojë qytetarët izraelitë dhe libanezë të kthehen në shtëpitë e tyre, të jetojnë në paqe dhe siguri.

Gjatë ditës së djeshme, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se një nga objektivat e SHBA-së që kur shpërtheu lufta Izrael-Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar ka qenë parandalimi i përhapjes së konfliktit, përfshirë edhe në veri.

Duke theksuar se askush nuk dëshiron të shohë një përshkallëzim dhe përhapje të konfliktit, Blinken tha: “Unë nuk besoj se këtë e bën Izraeli. Nuk besoj se e bën Hezbollahu. Libani sigurisht që nuk e dëshiron sepse do të vuante më së shumti. Nuk besoj se as Irani e bën këtë”.

Tensionet janë rritur përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin mes sulmeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe forcave izraelite ndërsa Tel Avivi po vazhdon me ofensivën e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 37.300 njerëz që nga tetori i kaluar.