Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA lehtëson kufizimet e ndihmës humanitare për sirianët për një periudhë 6-mujore

SHBA lehtëson kufizimet e ndihmës humanitare për sirianët për një periudhë 6-mujore

Wally Adeyemo

Administrata amerikane e presidenti Joe Biden ka bërë të ditur se po lehtëson kufizimet për ndihmën humanitare për Sirinë, duke lëshuar një masë për lehtësimin 6-mujor të sanksioneve, me qëllim për të lejuar dërgimin e furnizimeve thelbësore, transmeton Anadolu.

Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) lëshoi ‘licencën e përgjithshme 24’ të Sirisë, duke u mundësuar grupeve dhe kompanive të ndihmës të ofrojnë shërbime kritike si të energjisë elektrike, të ujit dhe atyre higjienike pa kërkuar miratime rast pas rasti.

Kjo gjithashtu autorizon transaksionet brenda Sirisë që mbështesin shitjen, furnizimin, ruajtjen ose dhurimin e energjisë, përfshirë naftën, gazin natyror dhe energjinë elektrike. Gjithashtu lejon transaksionet e nevojshme për përpunimin e dërgesave personale jo-komerciale në Siri, duke përfshirë ato përmes Bankës Qendrore të Sirisë.

Departamenti Amerikan i Thesarit theksoi se autorizimi është për gjashtë muaj pasi SHBA-ja “vazhdon të monitorojë situatën në zhvillim në terren”.

Zv/sekretari i Thesarit, Wally Adeyemo, tha se “fundi i sundimit brutal dhe represiv të Bashar Asadit, i mbështetur nga Rusia dhe Irani”, ofron një mundësi unike për Sirinë dhe popullin e saj për t’u rindërtuar.

“Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, Thesari do të vazhdojë të mbështesë ndihmën humanitare dhe qeverisjen e përgjegjshme në Siri”, tha Adeyemo.

Sipas një raporti më parë nga ‘Wall Street Journal’, SHBA-ja ka ndaluar heqjen e sanksioneve më të gjera derisa të sigurohen garanci se udhëheqja e re e Sirisë, e dominuar nga Hayat Tahrir Al-Sham (HTS), do të mbrojë të drejtat e grave dhe pakicave etnike.

Më 20 dhjetor, SHBA-ja njoftoi se nuk do të ndjekë më shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për liderin e HTS-së, Ahmed al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Mohammad al-Jolani.

Njoftimi erdhi gjatë një vizite të zyrtarëve të lartë amerikanë në Damasak, përfshirë ndihmës sekretaren e shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, disa ditë pasi Bashar Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vjet, më 8 dhjetor u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

Exit mobile version