Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se “kundërshton ashpër” referendumin që Qeveria Rajonale Kurde e Irakut planifikon të mbajë më 25 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Departamentit Heather Nauert, në një deklaratë me shkrim ka tërhequr vëmendjen se të gjitha vendet fqinje me Irakun janë kundër referendumit të planifikuar.
“SHBA kundërshton në mënyrë të ashpër referendumin që Qeveria Rajonale Kurde e Irakut planifikon të mbajë më 25 shtator”, tha Nauert duke bërë thirrje për negociata mes Bagdadit dhe Erbilit.
“Nëse ky referendum realizohet me shumë mundësi nuk do të ketë negociata me Bagdadin dhe në këtë mënyrë do të pengohet mbështetja që komuniteti ndërkombëtar do të japë përtej kësaj”, tha Nauert.
Duke vënë theksin se këmbëngulja në vendimin e referendumit do të kenë “pasoja” për irakianët, përfshirë edhe kurdët Nauert theksoi se debatet për referendumin “ndikojnë keq” në luftën kundër organizatës terroriste DEASH.
“Referendumi vë në rrezik marrëdhëniet tregtare të Irakut në Kurdistan dhe gjithashtu referendumi do të ndikojë në çdo ndihmë të dhënë edhe sikur aleatët ndërkombëtar të mos dëshirojnë. Kjo është e vërteta më e thjeshtë e një situate të tillë të vështirë. Përkundrazi ne u bëjmë thirrje për negociata të vërteta si alternativë për liderët kurdë. Negociatat premtojnë zgjidhjen e problemeve të vërteta të popullit kurd në Irak”, tha Nauert.
Ajo tha se procesi i referendumit i ka bashkuar kurdët për herë të parë në një kohë afërsisht për dy vite ndërsa Parlamenti kurd është gjallëruar dhe çështjet e rëndësishme i ka transferuar në rrafsh ndërkombëtar. “Duke patur parasysh rrugën alternative të mbështetur nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar, referendumi në vetvete është i panevojshëm”, thuhet në deklaratën e Nauert.