SHBA – Kinë: gara për më së shumti medalje në Parisi 2024

Në vitin 2021 Kinës i mungoi një medalje e artë për të barazuar SHBA-në për më së shumti medalje të arta të fituara në Lojërat Olimpike të atij viti të mbajtura në Tokio.

A rrezikojnë tani amerikanët të humbin primatin për medalje të fituara në Lojërat Olimpike Verore?

Përgjigjja e shkurtër: ka gjasë, por me shumë mundësi jo.

Sa i takon numrit total të medaljeve nuk pritet të ketë telashe që SHBA-ja të jetë në krye të listës. Në Tokio, SHBA-ja i kishte gjithsej 113 medalje, ndërsa Kina e përfundoi paraqitjen me 89 medalje. Në vitin 2016 në Rio, dallimi ishte edhe më i madh, 121 me 70. Edhe kur Kina ishte nikoqire në vitin 2008, SHBA-ja kishte më shumë medalje në total, 112 me 110.

Por Kina kishte më shumë medalje të arta se SHBA-ja në vitin 2008. Kinezët i fituan 48 të arta, ndërsa amerikanët 36. Në vitin 2016, Kina i kishte 26 medalje të arta, Britania e Madhe 27 e SHBA-ja plot 46. Kinezët u kthyen fuqishëm në Tokio tri vjet më parë. I fituan 38 medalje me shkëlqim ari, vetëm një më pak se amerikanët.

Nëse bazohemi në trendët e deritashëm, Kina do të mund të kalonte SHBA-në në Paris.

Pas analizimit të rezultateve dhe renditjes nga tre vjetet e fundit, së bashku me të dhëna të tjera historike, projeksioni është:

Medalje ari: SHBA-ja 48.28, Kina 39.78.

Medalje gjithsej: SHBA-ja 126.10, Kina 93.38.

Rrumbullakimi i këtyre shifrave në parashikimet aktuale për çdo ngjarje bën që pritjet të jenë për 42 medalje të arta për SHBA-në dhe 29 për Kinën. Në total, SHBA-së i parashikohen 123 medalje e Kinës 92.

Si kështu?

Në thelb, Kina ka më pak avantazhe. Kinezët janë thuajse të përkryer në kërcime në ujë dhe në pingpong. Por nuk mund të përmirësohen më shumë këtu. Ka pak medalje ari për sportistët kinezë për të fituar në ato sporte. Ndërkohë SHBA-ja ka shumë medalje argjendi dhe bronzi, me mundësi të shndërrimit të tyre në të arta.

Gjatë tre vjetëve të fundit sportistët amerikanë kanë dëshmuar se janë pretendentë. Sipas një përllogaritje jozyrtare, SHBA-ja ka 57 sportistë apo ekipe që do të paraqiten në Paris e që janë ose kampionë aktualë të botës ose renditen numër një. Kina i ka 48.

SHBA-ja ka potencial për të fituar deri në 50 medalje ari. Por gabimet ndodhin dhe amerikanët mund të kufizohen në 30 medalje të arta. Dhe Kina mund ta shfrytëzojë këtë.

Bazuar në orarin, Kina mund të ketë avantazh në ditët e para. Por SHBA-ja duhet të jetë në gjendje që të kalojë e para në ranglistë në ditët e fundit të Lojërave Olimpike.

Në javën e parë dallimi do të bëhet në not. Amerikanët kurrë nuk kanë pasur kaq yje në pishinë. Pos të kthyerve Katie Ledecky e Caeleb Dressel, medaljet priten edhe nga Bobby Finke, Ryan Murphy, Regan Smith dhe Lilly King. Amerikanët e synojnë rekordin e Tokios prej 11 medaljeve të arta dhe 30 gjithsej në Tokio.

Kina është prej rivaleve të SHBA-së në garat e notit, me disa emra të rinj që dolën në skenë. Gjashtë medalje i kishin kinezët në not në Tokio, prej tyre tri të arta. Ka gjasa të mëdha që ky rekord të përmirësohet.

Betejë e fortë pritet në gjimnastikë, po ashtu në javën e parë. Zhang Boheng i Kinës pritet t’i fitojë disa medalje ari. Por SHBA-ja ka adutët e saj, ndër të tjera edhe yllin Simone Biles. Në Tokio, SHBA-ja i kishte vetëm dy të arta në gjimnastikë. Dhe kjo shifër me siguri do të rritet në Paris.

Garë e fortë mes SHBA-së e Kinës do të zhvillohet edhe në atletikë e sporte të tjera. Dhe mbetet të shihet se cila prej superfuqive do të jetë më e suksesshme në fund.