Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrie Hovenier, ka thënë se ka kërkuar nga krerët e Kosovës që të shtyhet implementimi i dy vendimeve për 30 ditë.
Kjo, pas takimit që kishte me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas Hovenier, vendimi për reciprocitetin për letërnjoftime dhe targa është plotësisht të përshtatshme dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë.
Sipas tij, ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve.
“SHBA-ja nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Kam pasur takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Osmani dhe ministren e Jashtme, Gërvalla, për të bërë një kërkesë të qartë nga Qeveria e SHBA-së që të shtyhet implementimi i vendimit për 30 ditë.
Mendoj se shtyrja e implementimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në BE që të reduktohen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, ka thënë Hovenier, që ka shprehur shqetësimin për tensionet në veri.