Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se qeveria siriane duket se është duke përgatitur një tjetër sulm me armë kimike, duke paralajmëruar se nëse ndodh një gjë e tillë, Siria “do ta paguajë çmimin”.
Ajo, po ashtu, ka njoftuar se përgatitjet nga Siria janë të ngjashme me ato që janë ndërmarrë para sulmit të 4 prillit të këtij viti, i cili vrau shumë persona.
Pas atij sulmi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi nisjen e një sulmi me raketa në një bazë ajrore siriane.
“Ashtu siç kemi deklaruar më parë, Shtetet e Bashkuara janë në Siri për të shkatërruar Shtetin Islamik në Irak dhe Siri”, ka thënë zëdhënësi i SHBA-së, Sean Spicer.
“Nëse, presidenti sirian Bashar al-Assad nis një tjetër sulm për vrasje masive duke përdorur armë kimike, ai dhe ushtria e tij do të paguajnë një çmim të rëndë”.
Trump pati urdhëruar sulmin ajror gjatë muajit prill pasi siç pati thënë ai, sulmi me armë kimike ishte kryer nga qeveria e Asadit.
Nga ky sulm u vranë të paktën 70 persona.
Siria vazhdon ta mohojë këtë akuzë.
Këto sulme e vunë Uashingtonin në përballje me Rusinë, e cila ka mbështetur Asadin në sulme ajrore në luftën e tij civile gjashtëvjeçare.