SHBA-ja zgjeron akuzat kundër Huaweit

Shtetet e Bashkuara zgjeruan padinë kundër gjigantit kinez të telekomit, Huawei, duke e akuzuar atë për një plan, “të vjetër me dekada”, për të vjedhur teknologji nga firmat amerikane.

Prokurorët thanë se Huawei ka shkelur kushtet e partneritetit me kompanitë amerikane dhe se ka vjedhur sekrete tregtare, si kodi burimor dhe teknologjia robotike.

Këto i shtohen një liste të akuzave të tjera të ngritura nga SHBA-ja, vitin e kaluar.

Sipas atyre, Huawei ka shkelur sanksionet e SHBA-së dhe ka vjedhur teknologji nga kompania amerikane T-mobile.

Huawei i ka hedhur poshtë akuzat.

Kjo kompani, dikur prodhuesja më e madhe në botë e smartfonëve, thotë se SHBA-ja e sulmon atë, pasi zgjerimi i saj është kërcënim për interesat e bizneseve amerikane.

Meng Wanzhou, kryeshefja financiare e Huaweit dhe vajza e themeluesit të kompanisë, vazhdon të mbahet në Kanada, ku është duke luftuar kundër ekstradimit në Shtetet e Bashkuara.

Meng kërkohet atje nën akuzat për mashtrim dhe shkelje të sanksioneve – akuza që ajo i mohon.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar edhe nga partnerët e tyre, si Mbretëria e Bashkuar, të ndalojnë teknologjinë e Huaweit në rrjetet e tyre, duke thënë se pajisjet e kësaj kompanie mund të përdoren për spiunim nga Kina.

Me gjithë presionin, Mbretëria e Bashkuar, muajin e kaluar, ka njoftuar se do të vazhdojë të përdorë teknologjinë e Huaweit në rrjetin e saj 5G, por me kufizime./tch