Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi nëse aktivitetet e Star Blizzardit ishin ose jo të suksesshme, por thanë se presin që Rusia të vazhdojë t’i përdorë hakerët sulmet kibernetike kundër Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të vazhdojnë të jenë syhapur.
Një grup hakerësh, i lidhur me inteligjencën ruse, është parandaluar nga kryerja e aktiviteteve të tyre, thanë Microsoft dhe autoritetet amerikane më 3 tetor.
Zyrtarët amerikanë thonë se ky grup u përpoq të futej në sistemet kompjuterike të ish-punonjësve ushtarakë dhe të inteligjencës amerikane, si dhe në ato të organizatave joqeveritare, kompanive amerikane dhe të tjerëve.
Një gjykatë amerikane hapi dokumente për t’i autorizuar Microsoftin dhe Departamentin amerikan të Drejtësisë për të sekuestruar më shumë se 100 emra domenesh të lidhura me grupin e hakerëve, i njohur si Grupi Callisto i Star Blizzardit.
“Kjo sekuestrim është pjesë e një përgjigjeje të bashkërenduar me partnerët tanë të sektorit privat, për ta shkatërruar infrastrukturën që aktorët e spiunazhit kibernetik e përdorin për t’i sulmuar shënjestrat amerikane dhe ndërkombëtare”, tha prokurori i Qarkut Verior të Kalifornisë, amerikan Ismail J. Ramsey.
Grupi kishte në shënjestër individë me emaile që dukeshin sikur vinin nga një burim i besuar, një taktikë e njohur si “spear phishing”, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë në një njoftim për shtyp. Pasi hapeshin linqet brenda këtyre emaileve, hakerët përpiqeshin të hynin në sistemet e brendshme të viktimave për të vjedhur të dhëna dhe për t’i penguar aktivitetet e tyre.
Sipas Microsoftit, veprimet e Star Blizzardit ishin të vazhdueshme dhe të sofistikuara. Ky grup shpesh bënte kërkime të hollësishme paraprake për këdo që synonte ta sulmonte. Star Blizzard gjithashtu vuri në shënjestër grupe të shoqërisë civile, kompani amerikane, kontraktues ushtarakë amerikanë dhe Departamentin amerikan të Energjisë, i cili mbikëqyr shumë programe bërthamore, tha kompania.
Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi nëse aktivitetet e Star Blizzardit ishin ose jo të suksesshme, por thanë se presin që Rusia të vazhdojë t’i përdorë hakerët sulmet kibernetike kundër Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të vazhdojnë të jenë syhapur.
“Me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë të sektorit privat, ne do të jemi të pamëshirshëm në ekspozimin e aktorëve rusë dhe kriminelëve kibernetikë dhe në privimin e tyre nga mjetet e tregtisë së tyre të paligjshme”, tha zëvendësprokurorja e Përgjithshme, Lisa Monaco, në komunikatën e Departamentit të Drejtësisë.
Autoritetet amerikane ngritën aktakuzë ndaj dy burrave rusë vitin e kaluar në lidhje me veprimet e mëparshme të Star Blizzard. Të dy besohet se janë në Rusi.
Star Blizzard sulmoi edhe njerëz dhe grupe në të gjithë Evropën dhe në vendet e tjera të NATO-s, tha Departamenti i Drejtësisë. Shumë prej tyre kishin mbështetur Ukrainën pas pushtimit nga Rusia.