SHBA-ja regjistron rreth 3.600 raste të lisë së majmunit

Pas pandemisë së COVID-19, administrata e Biden-it momentalisht është duke analizuar nëse do të shpallet edhe një herë emergjencë e shëndetit publik për shkak të epidemisë

Rreth 3.600 raste të lisë së majmunit janë regjistruar në SHBA deri të martën, me të paktën një rast të konfirmuar në gati çdo shtet, njoftoi Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC), transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas pandemisë së COVID-19, administrata e presidentit Joe Biden momentalisht është duke analizuar nëse do të shpallet edhe një herë emergjencë e shëndetit publik për shkak të pandemisë.

“Dëshirojmë të jemi para (lisë së majmunit). Nuk dëshirojmë që kjo të bëhet pjesë e jetës. Po sa njerëz kanë vdekur krahasuar me COVID-19? Zero. Shpallim emergjencë të shëndetit publik bazuar në të dhëna dhe shkencë, jo bazuar në shqetësimet tona”, tha sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) Xavier Becerra në një intervistë për CNN.

Në një korespondencë të siguruar nga “The Washington Post”, administrata e Biden-it vlerësoi se mund të ketë nevojë për gati 7 miliardë dollarë për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate shpërthimit të lisë së majmunit.

Gjithsej 6.9 miliardë dollarë mund të sigurojnë 19 milionë doza të reja të vaksinës së lisë së majmunit.

Paratë do të përdoren për të blerë trajtime antivirale, për të përmirësuar testimin dhe shpërndarjen e vaksinave dhe për të siguruar shërbime për amerikanët e pasiguruar dhe të siguruar në mënyrë të pamjaftueshëm.

Jynneos është e vetmja vaksinë kundër lisë së majmunit e miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) deri më sot, që është prodhuar në Danimarkë.

Lija e majmunit është sëmundje infektive e shkaktuar nga një virus i ngjashëm me linë e madhe. Sëmundja u identifikua në vitin 1958 në kolonitë e majmunëve të përdorur për hulumtime. Rasti i parë i lisë së majmunit te njerëzit u regjistrua në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos. /aa