Shtetet e Bashkuara do të fillojnë dërgimin e 500 milionë dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech në 100 vende me të ardhura më të ulëta në fund të këtij muaji, njoftoi presidenti amerikan, Joe Biden.
Ai tha se tashmë SHBA-ja ka dhuruar më shumë se 110 milionë doza të vaksinës.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të dhurojnë dhjetëra miliona doza gjatë verës, përfshirë 500 milionë të planifikuara, tha Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk presin asgjë në këmbim.
“Ne nuk po i shesim. Këto donacione të vaksinave nga Amerika janë falas”, shtoi ai, duke folur në Shtëpinë e Bardhë më 3 gusht.
Presidenti Biden siguroi amerikanët se do të ketë më shumë vaksina në dispozicion dhe përsëri u bëri thirrje qytetarëve të imunizohen kundër sëmundjes COVID-19.
Ndër 65 vendet që kanë marrë vaksina nga SHBA-ja deri më tani janë Afganistani, i cili ka marrë 3.3 milionë doza; Pakistani, 5.5 milionë; Uzbekistani, 3 milionë dhe Ukraina, 2 milionë doza.
Në mesin e vendeve që do të përfitojnë vaksina nga SHBA-ja janë edhe Kosova dhe Bosnje e Hercegovina.
Në muajin maj, Biden u zotua se SHBA-ja do të dhurojë të paktën 80 milionë vaksina në vendet në të gjithë botën. Ai tha më 3 gusht se ky premtim është përmbushur.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dozat e vaksinës kryesisht përmes COVAX-it, një skemë globale e krijuar me qëllim të shpërndarjes së barabartë të vaksinave në vendet e varfra.
COVAX, i mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, thotë se ka nevojë për 2 miliardë doza deri në fund të vitit.
Pandemia ka vrarë të paktën 4.2 milionë njerëz në nivel global, përfshirë 613.679 njerëz në Shtetet e Bashkuara, më shumë se në çdo vend tjetër, e pasuar nga India me 425.000 vdekje të regjistruara, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins. /rel