ShBA-ja ka premtuar 117 milionë dollarë ndihmë sigurie për Libanin për ta mbështetur zbatimin e një armëpushimi me Izraelin, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit të shtunën.
Departamenti i Shtetit të ShBA-së shpalli paketën e ndihmës për forcat e armatosura libaneze pas një takimi virtual të donatorëve që u mbajt të enjten.
“Për pjesën e saj, Shtetet e Bashkuara po shpallin se do të ofrojnë më shumë se 117 milionë dollarë ndihmë të re dhe të zgjeruar të sigurisë,” thuhet në deklaratë.
Ndihma synon t’i forcojë Forcat e Armatosura Libaneze dhe Forcat e Brendshme të Sigurisë së vendit në përpjekjet e tyre për ta zbatuar marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin, e cila filloi më 26 nëntor 2024, tha departamenti.
Ndihma do t’i ndihmojë forcat libaneze të “ushtrojnë sovranitetin” mbi vendin dhe të zbatojnë Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Rezoluta 1701 e OKB-së, e miratuar në vitin 2006, bën thirrje për një ndalim të plotë të armiqësive ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit, duke vendosur një kornizë për marrëveshje afatgjata të sigurisë përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.