SHBA-ja mirëpret progresin e Armenisë dhe Azerbajxhanit në marrëveshjen e delimitimit të kufijve

Shtetet e Bashkuara përshëndetën hapat e fundit nga Armenia dhe Azerbajxhani për të vendosur rregulla formale për delimitimin e kufijve, duke thënë se kjo tregon potencialin për paqe të përhershme nëpërmjet dialogut të qëndrueshëm, transmeton Anadolu.

“SHBA-ja përshëndet Armeninë dhe Azerbajxhanin për zyrtarizimin e rregullave të procedurës për delimitimin e kufijve, duke demonstruar se përparimi është i mundur përmes dialogut të qëndrueshëm”, shkroi në X zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

“Ne mbështesim punën e të dyja palëve drejt një paqeje të qëndrueshme dhe dinjitoze për siguri dhe prosperitet në rajon”, shtoi ai.

Deklarata erdhi pasi Azerbajxhani dhe Armenia ratifikuan javën e kaluar marrëveshjen e tyre të parë dypalëshe mbi statutin mbi veprimtarinë e përbashkët të komisioneve për delimitimin e kufijve.

Rregullorja është nënshkruar më 30 gusht të këtij viti.

Tensionet midis Bakut dhe Jerevanit kanë vazhduar që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, së bashku me shtatë rajone të tjera.

Pjesa më e madhe e territorit u rimor nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia që nisi procesin e normalizimit dhe bisedimeve për demarkacionin e kufirit.

Në shtator 2023, Azerbajxhani vendosi sovranitet të plotë mbi Karabakun pas një “operacioni antiterrorist”, pas të cilit forcat separatiste në rajon u dorëzuan.