SHBA-ja kërkon që Irani “t’i japë fund plotësisht” programit të tij bërthamor

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz tha se Washingtoni ka kërkuar që Irani “t’i japë fund plotësisht” programit të tij bërthamor, transmeton Anadolu.

I ftuar në programin “Face the Nation” të CBS News, Waltz bëri vlerësime rreth programit bërthamor të Iranit.

“Irani duhet të heqë dorë nga programi i tij në mënyrë që ta shohë e gjithë bota”, tha Waltz duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ketë pasoja.

Pasi deklaroi se SHBA-ja ka shprehur dëshirën e saj që programi bërthamor i Iranit të “përfundohet plotësisht”, Waltz tha se “Nëse (Irani) do të kishte armë bërthamore, e gjithë Lindja e Mesme do të hynte në një garë armatosjeje”.

Ai vuri në dukje se të gjitha opsionet janë në tryezë dhe se ende ka mundësi për diplomaci mes Iranit dhe SHBA-së.

– Letra e Trumpit ndaj Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump në një intervistë për “Fox Business Network” tha se ai i dërgoi një letër udhëheqësit iranian Ayatollah Ali Khamenei dhe shtoi se ai preferonte të bënte një marrëveshje me Iranin për programin e tij bërthamor.

“Nëse Irani nuk negocion, kjo do të jetë shumë e shëmtuar për ta. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Ka mundësi të tjera”, tha Trump.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi, pasi thirrjes së bërë nga Trump për negociata duke kërcënuar Teheranin, përsëriti se vendi i tij nuk do të negociojë me SHBA-në nën presion.