Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA-ja i kërkon Ukrainës që të ulë moshën e shërbimit ushtarak në...

SHBA-ja i kërkon Ukrainës që të ulë moshën e shërbimit ushtarak në 18 vjeç

Pretendohet se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden dëshiron që Ukraina të bëjë ndryshime ligjore për të rritur numrin e ushtarëve duke ulur moshën e mobilizimit në 18 vjeç dhe duke rekrutuar më shumë njerëz, transmeton Anadolu.

Një zyrtar i paemëruar i Shtëpisë së Bardhë foli për Associated Press (AP) për politikat ndaj Ukrainës të administratës së Bidenit, e cila po përgatitet t’ia dorëzojë administratën presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë ka ofruar mbi 56 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022. Administrata e Bidenit planifikon të dërgojë miliarda dollarë ndihmë ushtarake shtesë në Kiev përpara se të dorëzojë mandatin e saj.

Shtëpia e Bardhë beson se Ukraina duhet të rrisë ndjeshëm numrin e trupave të saj për të vazhduar luftën e saj kundër Rusisë. Zyrtari amerikan pohoi se Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Ukrainës që të “ulë moshën e mobilizimit nga 25 në 18 vjeç” në mënyrë që të plotësojë nevojat e saj ushtarake.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett në një deklaratë me shkrim tha se administrata do të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë, por beson se “nevoja më jetike e Ukrainës për momentin është fuqia e njerëzve”.

“Ne jemi gjithashtu të përgatitur të rrisim kapacitetin tonë të trajnimit nëse ata marrin hapat e duhur për të plotësuar gradat e tyre”, tha Savett.

Ukraina, e cila aktualisht thuhet se ka më shumë se 1 milion ushtarë, duhet të rekrutojë edhe 160 mijë trupa shtesë për të përmbushur nevojat e saj ushtarake.

Ukraina reduktoi moshën e mobilizimit nga 27 në 25 vjeç në prill 2024.

Exit mobile version