SHBA-ja i dërgon armë të tjera Ukrainës

SHBA-ja pritet t’i dërgojë më shumë armë dhe pajisje Ukrainës. Njoftimi pritet të bëhet i ditur gjatë një takimi kyç të rreth 50 vendeve të njohur si Grupi i Kontaktit të Ukrainës të mërkurën, ka theksuar një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia po fiton terren në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, veçanërisht në qytetin Severodonjeck, ku po zhvillohen disa nga luftimet më të ashpra. Pa më shumë armatim, disa zyrtarë ukrainas kanë thënë se do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ndalet përparimi në rritje i Rusisë ose të rimarrin tokën e pushtuar në rajon.

“Ne dëgjojmë atë që ata po thonë, ne absolutisht dëgjojmë atë që po thonë”, tha zyrtari i lartë i mbrojtjes, i cili foli për “urgjencën” e takimit të grupit të enjten në Bruksel.

Zyrtari nuk do të detajonte se cilat vende do të shpallnin paketa të reja sigurie ose çfarë do të përfshinin ato dërgesa, por vuri në dukje se SHBA-ja po punon “shumë ngushtë” me vendet e tjera për të kuptuar se çfarë kanë nevojë forcat e armatosura të Ukrainës dhe më pas për të gjetur ato sisteme për t’i dërguar.

Zyrtari gjithashtu nuk tha nëse SHBA-ja do të ketë paketë të re për të shpallur, por tha se administrata e presidentit amerikan, Biden tashmë po punon për paketën e ardhshme. /koha