Në një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit Yoav Gallant, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se ata janë të gatshëm të mbrojnë Izraelin dhe aleatët e tij në rajon kundër Iranit dhe forcave “proxy” të mbështetura nga Irani, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) thuhet se Austin zhvilloi bisedë telefonike me Gallant.
Gjatë bisedës ku u diskutuan mundësitë për të ulur tensionet rajonale ndërkohë që sulmet e Izraelit në Gaza dhe Liban vazhdojnë, Austin përsëriti se vendi i tij është i gatshëm të mbrojë ushtarët amerikanë, Izraelin dhe aleatët e tij në rajon kundër “kërcënimeve nga Irani dhe forcat ‘proxy’ të mbështetura nga Irani”.
Austin përsëriti angazhimin e tyre për një nismë diplomatike që do të lejojë kthimin e sigurt të civilëve libanezë dhe izraelitë të cilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit në kufirin libanez.
Në bisedë krahas kushteve të rënda humanitare në Gaza, Austin vlerësoi edhe mundësinë për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin.