SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar akuzojnë Kinën për abuzimet me pakicat

Këto reagime nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar u bënë të premten në forumin e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara të premten dënuan abuzimin e Kinës me pakicat etnike dhe fetare, duke përfshirë atë që e quajtën “krime kundër njerëzimit dhe gjenocid” në Xinjiang kundër Ujgurëve Musliman dhe kufizimet e ashpra në Tibet.
“Ne dënojmë abuzimin e Kinës me anëtarët e grupeve të pakicave etnike dhe fetare, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Xinjiang dhe kufizime të ashpra në Tibet,” i tha Mark Cassayre, i ngarkuari me punë në OKB për SHBA, Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Chen Xu, ambasadori i Kinës në OKB në Gjenevë, nuk iu referua direkt Xinjiang-ut në një fjalim kur tha se vendi i tij kundërshtonte politizimin e çështjeve të të drejtave të njeriut.
Po ashtu ambasadori i Britanisë, Julian Braithwaite, tha në forum: “Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga shkeljet e gjëra dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Xinjiang, duke përfshirë raporte të besueshme të punës së detyruar dhe kontrollit të detyruar të lindjes.”
Këto reagime vijnë para se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, do të takohet me homologun e tij kinez Wang Yi në Alaskë javën e ardhshme, ku do të hapë temën rreth Ujgurëve, kanë thënë zyrtarët amerikanë. /Mesazhi.com