Për shkak të rritjes së dhunës në Afganistan, ambasadat amerikane dhe britanike në Kabul kërkuan nga qytetarët e tyre në Afganistan të largohen nga ky vend sa më shpejt të jetë e mundur, duke përdorur të gjitha fluturimet që mund të gjejnë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ambasada amerikane tha në një deklaratë se ata duan që qytetarët amerikanë të largohen nga Afganistani menjëherë duke përdorur opsionet e disponueshme të fluturimit komercial.
Aftësia e ambasadës për të ndihmuar qytetarët amerikanë në Afganistan është jashtëzakonisht e kufizuar, duke pasur parasysh kushtet e sigurisë dhe zvogëlimin e stafit, tha ambasada, duke paralajmëruar shtetasit amerikanë që të mos udhëtojnë në Afganistan.
Nga ana tjetër, ambasada britanike u kërkoi qytetarëve britanikë të mos presin ndihmë gjatë një krize të tillë dhe të largohen nga Afganistani sa më shpejt të ishte e mundur.
Deklarata paralajmëron gjithashtu se personeli i ambasadës nuk duhet të udhëtojë jashtë kryeqytetit Kabul, për shkak të kërcënimeve të sigurisë.
Ndryshe, dhuna është rritur së fundmi në Afganistan pasi militantët talibanë kanë marrë kontrollin mbi një numër të madh rajonesh pas vendimit të forcave të huaja për t’u larguar nga vendi dhe dështimit të bisedimeve të paqes midis qeverisë afgane dhe militantëve.
Aktualisht pretendohet se talibanët kanë nën kontroll 80 për qind të territorit të Afganistanit. /aa