SHBA, inflacioni u rrit me 7% gjatë vitit të kaluar, shifra më e lartë që nga viti 1982

Gjatë dhjetorit, inflacioni në SHBA vazhdoi rritjen e tij me ritmin më të shpejtë 12-mujor në gati 40 vjet, sipas një indikatori të monitoruar nga Departamenti i Punës, i cili u publikua të mërkurën.

Indeksi i Ҫmimeve të Konsumit (IҪK), një matës i kostove të dhjetëra artikujve, u rrit me 7%, sipas Byrosë së Statistikave të Punës. Për muajin dhjetor, IҪK u rrit me 0.5%.

Ekonomistët e anketuar nga Dow Jones e prisnin që ky indikator të rritej me 7% në bazë vjetore dhe me 0.4% pas muajit nëntor.

Kjo rritje vjetore ishte më e madhja që nga qershori i vitit 1982 dhe vjen në rrethanat e mungesës së mallrave dhe të fuqisë punëtore, si dhe pas një injektimi të paprecedentë të parave në ekonominë e SHBA nga Kongresi dhe Rezerva Federale (Fed).

Pavarësisht rritjes së fortë të inflacionit, vlera e stoqeve u rrit pas këtij lajmi, ndërsa yield-et e letrave me vlerë të qeverisë ishin përgjithësisht negative.

“Raporti i dhjetorit i IÇK-së që tregon një rritje prej 7% gjatë 12 muajve të fundit do të trondisë disa investitorë, pasi nuk kemi pasur një shifër kaq të lartë” në pothuajse 40 vjet, tha Brian Price, shefi i menaxhimit të investimeve në Commonwealth Financial Network. “Sidoqoftë, kjo situatë përgjithësisht ishte e pritshme nga shumë njerëz dhe ne mund ta shohim reagimin në tregun e bonove sepse normat afatgjata të interesit janë në rënie.”

Indikatori që njihet si IÇK bazë, i cili nuk llogarit çmimet e ushqimeve dhe të energjisë, u rrit me 5.5% nga viti në vit dhe me 0.6% nga muaji i kaluar, ndërkohë që vlerësimet sipas pritshmërive ishin respektivisht 5.4% dhe 0.5%. Përsa i përket inflacionit bazë, rritja vjetore ishte më e madhja që nga shkurti i vitit 1991.

Kostot e strehimit, të cilat përbëjnë gati një të tretën e totalit, u rritën me 0.4% për muajin dhe 4.1% për vitin. Ky ishte ritmi më i shpejtë i rritjes së këtyre kostove që nga shkurti i vitit 2007.

Çmimet e automjeteve të përdorura, të cilat kanë qenë një komponent kryesor i rritjes së inflacionit gjatë pandemisë Covid për shkak të kufizimeve në zinxhirët e furnizimit që kanë limituar prodhimin e automjeteve të reja, u rritën me 3.5% në dhjetor, duke bërë që rritja nga viti i kaluar të shkojë në 37.3%.

Nga ana tjetër, çmimet e energjisë përgjithësisht u reduktuan gjatë muajit dhjetor, duke rënë me 0.4% pasi nafta u ul me 2.4% dhe benzina me 0.5%. Megjithatë, këto ҫmime gjatë 12-mujorit u rritën me 29.3% krahasuar me vitin e kaluar, duke përfshirë një rritje prej 49.6% për ҫminin e benzinës.

Zyrtarët e Fed po monitorojnë nga afër të dhënat për inflacionin dhe pritet një rritje e normave të interesit këtë vit, si një përpjekje për të luftuar rritjen e çmimeve, në kushtet kur situata e tregut të punës shkon drejt punësimit të plotë. Megjithëse banka qendrore përdor indeksin e çmimeve të shpenzimeve të konsumit personal si matësin kryesor të inflacionit, politikëbërësit marrin parasysh një sasi shumë të madhe informacioni kur marrin vendime të tilla.

“Shifra që tregon rritjen e IÇK-së vetëm sa përforcon atë që ne tashmë e dimë: konsumatorët po ndiejnë presionet e rritjes së çmimeve. Në përgjigje të kësaj, Fed ka sinjalizuar një qasje më të ashpër. Por pyetja mbetet nëse Fed do të nxitojë në marrjen e këtyre masave, duke pasur parasysh se inflacioni duket se do të vazhdojë të jetë prezent, të paktën në planin afatmesëm,” tha Mike Loewengart, menaxher për strategjinë e investimeve në E-Trade. “Ndërkohë që rastet e Covid vijojnë të rriten, ndikimi në zinxhirët e furnizimit dhe mungesat e fuqisë punëtore mund të vazhdojnë të kenë ndikimin e tyre dhe kjo vetëm sa nxit çmime më të larta.”

Inflacioni ka ndikuar negativisht edhe në rritjet e pagave të punonjësve, të cilat kanë qenë relativisht të larta. Megjithatë, paga mesatare reale për orë shënoi një rritje të vogël prej 0.1% për muajin, sepse rritja totale prej 0.6% tejkaloi rritjen e IÇK-së prej 0.5%. Duke i krahasuar ato me vitin e kaluar, të ardhurat reale ranë me 2.4%, sipas llogaritjeve të Byrosë së Statistikave të Punës.

Zyrtarët e Fed ia atribuojnë rritjen e inflacionit kryesisht çështjeve specifike të pandemisë, gjatë së cilës mungesa e punonjësve ka sjellë edhe bllokimin e zinxhirëve të furnizimit dhe mungesa në furnizimet e dyqaneve. Megjithëse ka shenja që rastet e infektimeve të variantit Omicron mund të arrijnë kulmin së shpejti, problemet e tejzgjatura që lidhen me Covid, të kombinuara edhe me motin e ftohtë në verilindje, mund të sjellin “një rritje të re të çmimeve të ushqimeve”, shkroi Paul Ashworth, shefi ekonomik për Shtetet e Bashkuara në Capital Economics.

Çmimet e ushqimeve u rritën me 0.5% për dhjetorin dhe me 6.3% gjatë 12 muajve të fundit, rritja më e madhe që nga tetori 2008.

Investitorët përgjithësisht presin që Fed të fillojë të rrisë normat e interesit në muajin mars. Kryetari i Fed, Jerome Powell, në seancën e ditës së martë përpara panelit të Senatit për ҫështjet bankare, nuk dha ndonjë datë specifike, por pranoi se për sa kohë që rrethanat aktuale vazhdojnë të mbeten njësoj, rritja e normave është e pashmangshme.

Tregjet po vlerësojnë se ka gati 79% mundësi që rritja e parë prej një çerek pikë përqindjeje të ndodhë në maj, ndërsa ka gati 50% mundësi që Fed të miratojë katër rritje të tilla në vitin 2022, sipas FedWatch Tool të CME. /monitor