“SHBA i jep kohë Izraelit të aneksojë Bregun Perëndimor”

Palestina ka akuzuar administratën amerikane se i dha Izraelit kohë për të përfunduar aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Menaxhimi i SHBA-së i konfliktit palestinezo-izraelit i jep kohë shtetit okupues izraelit që të përfundojë aneksimin e Bregut Perëndimor”, thonë në një deklaratë nga Ministria e Jashtme palestineze.

Ministria i bëri thirrje Washington-it dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndalojnë politikën e “menaxhimit” të konfliktit.

“Kërkohet të ndërmerren hapa praktikë për zgjidhjen e konfliktit bazuar në referencat ndërkombëtare të paqes dhe parimin tokë për paqe, si dhe vizionin e zgjidhjes me dy shtete”, thuhet më tej.

Ministria më tej dënoi miratimin e vendimit nga qeveria izraelite për ndërtimin e vendbanimeve me shtëpi të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Javën e kaluar, qeveria izraelite miratoi tetë plane vendbanimesh që përfshijnë ndërtimin e 1.058 njësive të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Izraelit dhe Autoritetit Palestinez që të “përmbahen nga hapat e njëanshëm që përkeqësojnë tensionet dhe zvogëlojnë përpjekjet për të avancuar një zgjidhje të negociuar me dy shtete, duke përfshirë avancimin e aktivitetit të vendbanimeve”.

Vlerësimet izraelite dhe palestineze tregojnë se rreth 650.000 kolonë jetojnë në 164 vendbanime dhe 116 poste në Bregun Perëndimor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.​​​​​​​ /aa