Një person në shtetin amerikan Missouri, i dënuar me një vit burgim për vrasje të “qindra” drerëve, është gjykuar që gjatë vuajtjes së dënimit në burg të shikojë filmin e animuar “Bambi”, i cili përshkruan jetën e një kaprolli të vogël, transmeton Anadolu Agency (AA).
David Berry Jr, është shpallur fajtor nga prokuroria për therjen e drerëve dhe lënien e ngordhësirave të kalben në pyll, raportuan mediumet e vendit.
Robert George, gjykatës i rajonit Lawrence, ka gjykuar që Berry Jr, duke filluar nga 23 dhjetori, të paktën një herë në muaj gjatë kohës në burg të shikojë filmin Bambi, në gjykimin që është konsideruar si një nga rastet e gjuetisë më të madhe ilegale të drerëve në këtë shtet.
Edhe pse nuk është dhënë numër total i drerëve të vrarë nga i dënuari, Andy Barnes ka departamenti për ruajtjen e natyrës në rajonin Lawrence tha se ai mund të ketë vrarë qindra drerë.
Po ashtu, katër persona të tjerë që e kanë ndihmuar atë, përfshirë edhe babain dhe vëllezërit e tij, janë gjobitur me të holla dhe 33 ditë burgim, ndërsa të gjithëve u është anuluar lisenca për gjueti.
Ende nuk dihet se pse vetëm Berry Jr është dënuar të shikojë filmin Bambi.
Bambi, animacioni i vitit 1942 i kompanisë Walt Disney, rrëfen jetën e një kaprolli të vogël pasi i vritet nëna nga gjuetarët.