Guvernatori i Kalifornisë në SHBA, Jerry Brown ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme nga shkaku i zjarreve në pyje të cilat janë përhapur në veri të shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Edhe guvernatori i shtetit federal Montana, Steve Bullock, ka shpallur gjendje të katastrofës natyrore.
Ndërsa në rajonin e Teksasit uragani Harvey është duke shkaktuar kërdi, ndërsa në perëndim të vendit aktualisht janë aktive 56 zjarre.
Mbi 25 mijë zjarrfikës janë duke luftuar me stuhitë e zjarrit në rajonet e Kalifornisë, Nevadës, Oregonit dhe Montanës.
Guvernatori i Kalifornisë Brown shpalli gjendje të jashtëzakonshme meqë zjarri ka shkatërruar 1.500 hektarë tokë dhe 30 shtëpi në veri të shtetit.
Zyra e tij njoftoi gjithashtu evakuimin e rreth 500 shtëpive në zonën e qarkut Butte, rreth 140 kilometra nga Sakramento.
Konfirmohet se nuk ka viktima në njerëz por se është vështirësuar furnizimi me energji elektrike dhe se disa rrugë janë të mbyllura, ndërsa zëdhënësja e njësitit zjarrfikës në Los Angeles, Margaret Stewart, tha se janë evakuuar rreth 200 shtëpi.