Tjetër alarm në Shtetet e Bashkuara për gjetjen e disa bombave në stacionin hekurudhor Elizabeth, në Nju Xhersi.
Një nga bombat, e gjetur në një çantë, shpërtheu pak pas 00:30 me orën lokale, rreth 06:30 me orën tonë, teksa një robot i një ekipi të FBI-së po mundohej ta çaktivizonte.
Sipas kryetarit të Bashkisë së lokalitetit Elizabeth, Christian Bollwage, nga shpërthimi nuk ka pasur të plagosur.
Ndërkohë, hetuesit kanë gjetur më pas tre bomba të lidhura me njëra-tjetrën me kabëll. Sipas CNN, bëhet fjalë për bomba të tipit “bomba tub”.
Ndërkohë, pesë persona janë arrestuar gjatë hetimeve mbi shpërthimin e ndodhur më herët në Nju Jork, që shkaktoi plagosjen e 29 personave.
Arrestimet janë kryer nga FBI në një postobllok në urën Verracano, që bashkon Bruklin me Stejtën Ajlënd.
Sipas mediave amerikane, pesë personat në fjalë ishin kthyer nga Nju Xhersi përmes aeroportit JFK të Nju Jorkut dhe kishin armë në makinën e tyre.
/ Top Channel