SHBA, gjenden 18 trupa pas përplasjes mes një avioni dhe helikopteri në afërsi të Washingtonit

Deri më tani, trupat e 18 personave janë gjetur pasi një avion pasagjerësh u përplas me një helikopter ushtarak të mërkurën në mbrëmje afër Washingtonit në SHBA, raportojnë mediat amerikane, transmeton Anadolu.

Një avion udhëtarësh me 60 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 4 anëtarësh dhe një helikopter ushtarak me 3 persona personel ushtarak u përplasën në ajër dhe u rrëzuan pranë aeroportit “Ronald Reagan” afër kryeqytetit amerikan Washington.

Sipas një deklarate me shkrim nga Administrata Federale e Aviacionit Amerikan (FAA), një avion dhe një helikopter ushtarak janë përplasur pranë aeroportit “Ronald Reagan”. Avioni i pasagjerëve i American Airlines dhe helikopteri ushtarak u rrëzuan në lumin Potomac pas përplasjes.

Lidhur me aksidentin ka nisur hetim ndërsa sipas lajmeve në mediat amerikane deri më tani nuk ka të mbijetuar nga aksidenti. Në rrjetet sociale janë pasqyruar pamjet e momentit të përplasjes në ajër të avionit dhe helikopterit. Theksohet se janë ndalur urgjentisht të gjitha fluturimet në aeroport dhe se janë marrë masat e sigurisë në zonë.

Nuk ka ende një deklaratë zyrtare nëse ka ndonjë të mbijetuar mes 64 personave në avionin që u rrëzua në lumin Potomac. Një zyrtar që ka folur për CBS News ka thënë se nga lumi janë nxjerrë 18 trupa të pajetë.

Bëhet e ditur se 300 policë, punonjës mjekësor dhe personel i shpëtimit janë dërguar në aeroportin “Ronald Reagan” dhe në zonën përreth lumit Potomac dhe se ka filluar një operacion në shkallë të gjerë kërkimi dhe shpëtimi.

Autoritetet po garojnë me kohën për shkak se moti dhe uji janë të ftohtë.

– Deklaratë nga Shtëpia e Bardhë

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt e cila bëri një deklaratë të shkurtër në lidhje me aksidentin gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Fox News, tha se presidenti amerikan Donald Trump është informuar dhe se ata po i ndjekin zhvillimet.

Leavitt theksoi se ata “po i ndjekin në çast zhvillimet në lidhje me këtë ngjarje tragjike”.

– Në avion ndodheshin 60 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit

Zyrtarët e American Airlines, të cilët dhanë një deklaratë për mediat amerikane, njoftuan se në avionin që erdhi nga Kansas në kryeqytetin Washington kishte 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.

Zyrtarët e Pentagonit që kanë folur për mediat amerikane kanë ndarë informacionin se në helikopterin ushtarak të rrëzuar kishte tre persona personel ushtarak, por që nuk ka pasur asnjë zyrtar të lartë.

– Deklaratë nga Trump: “Ishte një situatë që duhej të ishte parandaluar”

Në një deklaratë me shkrim lidhur me aksidentin, presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet dhe lutet për mbijetesën e njerëzve.

Trump falënderoi autoritetet që bënë ndërhyrjen e parë. Ai më vonë bëri një deklaratë në platformën e mediave sociale “Truth Social” duke thënë se avioni po zbriste drejt pistës në rrugën e tij. “Helikopteri po shkonte drejtpërdrejt drejt avionit për një kohë të gjatë. Ishte një natë e pastër dhe dritat e avionit ishin ndezur. Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë duhet të bënte në vend që të pyesin nëse e kanë parë apo jo avionin? Ka qenë një aksident që mund të parandalohej. Kjo nuk është mirë”, tha Trump.

Edhe Zv/presidenti amerikan JD Vance në postimin e tij në platformën e mediave sociale X kërkoi lutje për të gjithë dhe tha “Ne po monitorojmë situatën por le të shpresojmë për më të mirën tani për tani”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe sekretari i Transportit, Sean Duffy gjithashtu thanë në një deklaratë se situata po monitorohej.

– Deklaratë nga drejtori ekzekutiv i American Airlines

Drejtuesi i Lartë i American Airlines, Robert Isom në një deklaratë në faqen e internetit të kompanisë shprehu shqetësim të thellë për aksidentin.

Ai tha se janë në komunikim me autoritetet lokale dhe federale për hetimin e ngjarjes dhe përpjekjet e kërkim-shpëtimit dhe shtoi se po bëjnë më të mundurën.