“SHBA do t’i paraqesë Izraelit alternativa të ndryshme në vend të sulmit tokësor në Rafah”

SHBA-ja e cila kundërshton mundësinë që Izraeli të nisë sulm tokësor në qytetin Rafah në jug të Gazës ku janë strehuar më shumë se 1 milion civilë, por që nuk ka mundur të bindë qeverinë e Tel Avivit, thuhet se po përgatitet t’i paraqesë Izraelit alternativa të ndryshme në vend të ndërhyrjes tokësore në Rafah, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të faqes amerikane “Axios” që publikon në SHBA të cilin e bazon në dy zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, administrata amerikane në vend të sulmit tokësor të Izraelit në Rafah do të propozojë alternativa të ndryshme ndaj një delegacioni të nivelit të lartë izraelit që do të vizitojë Washingtonin javën e ardhshme.

Duke potencuar se presidenti amerikan Joe Biden në një telefonatë më 18 mars i sugjeroi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të dërgonte një delegacion në Washington për të diskutuar për sulmin në Rafah, zyrtarët deklaruan se kjo ide u diskutua për disa ditë brenda administratës amerikane si një mënyrë për marrëdhënie më konstruktive me izraelitët.

Zyrtarët amerikanë theksuan se në rast se negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit dështojnë si dhe kundër mundësisë që kjo të bëhet një pikë thyerje në marrëdhëniet SHBA-Izrael, administrata e Bidenit ka marrë vendim që t’i propozojë alternativa të ndryshme Tel Avivit, i cili këmbëngul për sulm tokësor në Rafah.

Sipas zyrtarëve, Shtëpia e Bardhë e kuptoi se nuk mjaftonte t’u thoshte izraelitëve se çfarë të mos bënin, por se ishte gjithashtu e nevojshme të ofronte një alternativë.

Në fazën e parë administrata amerikane qëndron mbi idenë e shtyrjes së sulmit në Rafah dhe fokusimit në situatën humanitare në Gaza, shprehën zyrtarët duke shtuar se faza tjetër është shkatërrimi i tuneleve nën kufirin në Rafah si dhe fokusimi që Egjipti të sigurojë kufirin me Gazën si një pjesë e planit të përbashkët SHBA-Egjipt-Izrael për parandalimin e dërgesave të armëve në Gaza.

Izraeli, i cili prej rreth 170 ditësh vazhdon sulmet dhe pushtimin e tij në Rripin e Gazës, po përgatitet të sulmojë qytetin jugor të Rafahut, që më parë ka shpallur zonë të sigurt dhe në të cilin janë strehuar më shumë se 1 milion civilë.

Shumë shtete, përfshirë SHBA-në i kanë kërkuar Izraelit të mos ndërmarrë hap ushtarak kundër qytetit Rafah.

Presidenti amerikan Biden, i cili ofron mbështetje politike dhe ushtarake për Izraelin që akuzohet për gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, në një bisedë telefonike me Netanyahun më 18 mars tha se “përpjekja për të pushtuar Rafahun do të ishte një gabim”.

Biden ra dakord me Netanyahun për të dërguar një delegacion izraelit në Washington për të diskutuar mbi shqetësimet dhe sugjerimet e SHBA-së.