Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi sot një projektligj për të vendosur sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) në shenjë proteste ndaj urdhërarresteve të saj për zyrtarët izraelitë, raporton Anadolu.
Projektligji, i cili u prezantua të premten e kaluar sapo filloi Kongresi i 119-të, u miratua me 243 vota pro dhe 140 kundër.
Akti i Kundërveprimit ndaj Gjykatës së Paligjshme vendos sanksione ndaj atyre që ndihmojnë përpjekjet e GJNP-së për të ndjekur penalisht amerikanët ose izraelitët.
GJNP-ja lëshoi urdhërarreste në nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
Kongresistja amerikane Rashida Tlaib kritikoi votimin.
“Cili është prioriteti i tyre kryesor javën e parë të Kongresit të ri? Ulja e kostove? Adresimi i krizës së strehimit? Jo, është sanksionimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të mbrojtur maniakun gjenocidal Netanyahu, në mënyrë që ai të vazhdojë gjenocidin në Gaza”, shkroi Tlaib në X.
Përfaqësuesi Jim McGovern kritikoi Republikanët për prioritizimin e sanksionimit të GJNP-së në mes të zjarreve në shtetin e Kalifornisë.
“Nga të gjitha mënyrat që Republikanët i kanë treguar këtij vendi se sa të ngatërruara dhe të prapambetura janë prioritetet e tyre, më duhet të them se ky projektligj që ne po debatojmë sot për të sanksionuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale me të vërtetë është më skeptakolari”, tha McGovern në Dhomën e Përfaqësuesve.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thunem, u zotua të sjellë legjislacionin në senat.
Ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Rripin e Gazës që ka vrarë më shumë se 46.000 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.