SHBA, demokratët përgatiten të bojkotojnë fjalimin e Ne’tanyahut në Kongres

Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Partisë Demokratike në SHBA po përgatiten të bojkotojnë fjalimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Kongresin amerikan më 24 korrik, transmeton Anadolu.

Ndërsa kryeministri izraelit Netanyahu përgatitet të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan, duket se do të rritet numri i vendeve të zbrazëta në kongres.

Kur Netanyahu iu drejtua Kongresit amerikan në mars 2015, gjatë administratës së ish-presidentit amerikan Barack Obama, rreth 60 demokratë nuk erdhën për ta dëgjuar atë. Pritet që më shumë demokratë të mos marrin pjesë në fjalimin e planifikuar të kryeministrit izraelit në Kongresin amerikan më 24 korrik.

– Në SHBA ka atmosferë të tensionuar para fjalimit të Netanyahut

Anëtarët e Partisë Demokratike në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve janë të ndarë mes mbështetjes së tyre të gjatë për Izraelin dhe “dhimbjes së shkaktuar nga forma e sulmeve të kryera nga ky vend në Rripin e Gazës”.

Përderisa disa demokratë deklarojnë se do të dëgjojnë fjalimin e Netanyahut nga “respekti” për Izraelin, një shumicë e konsiderueshme demokratësh do të veprojnë të kundërtën. Tensionet mes Netanyahut dhe presidentit demokrat të SHBA-së, Joe Biden kanë dalë në publik. Javën e kaluar, Netanyahu akuzoi administratën e Bidenit për refuzimin e dërgimit të armëve në Izrael.

Këshilltari i Komunikimit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, në deklaratën e tij më 20 qershor, në lidhje me pretendimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se SHBA refuzoi të dërgonte armë në vendin e tij tha: “Në përputhje me mbështetjen që i kemi dhënë dhe do të vazhdojmë t’i japim kryeministrit Netanyahu, ne i konsiderojmë këto komente të lëndueshme dhe për keqardhje”.

– “Netanyahu ishte i keq për Izraelin, i keq për palestinezët, i keq për SHBA-në”

Në intervistat e zhvilluara nga mediat amerikane me anëtarët demokratë të Kongresit, shumë nga këta individë duket se kanë treguar pakënaqësinë e tyre me fjalimin e ardhshëm, duke e parë fjalimin e Netanyahut si një manovër republikane që synon të përçajë partinë e tyre.

Senatori demokrat, Chris Van Hollen tha se nuk shihte asnjë arsye pse Kongresi do t’i jepte një dorë ndihme Netanyahut. Demokrati Gregory Meeks, anëtar i lartë i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, deklaroi se fjalimi i Netanyahut nuk duhet të bëhet dhe se ai do ta dëgjojë atë për shkak të pozicionit të tij.

Demokratët e tjerë presin të shohin nëse Netanyahu do të jetë ende kryeministër kur ai t’i drejtohet Kongresit.

Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Seth Magaziner shprehu shpresën e tij se Netanyahu nuk do të mbetet kryeministër deri në fund të korrikut. “Mendoj se Netanyahu ka qenë i keq për Izraelin, i keq për palestinezët dhe i keq për SHBA-në”, tha ai.

– Disa anëtarë të Kongresit planifikojnë ngjarje alternative më 24 korrik

Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Don Beyer tha se ka në plan të bojkotojë fjalimin e Netanyahut nëse ai nuk shpall armëpushim.

Anëtarja tjetër demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Pramila Jayapal e përshkroi ftesën e Netanyahut për të mbajtur fjalim si ide të keqe. “Ne duhet të bëjmë presion ndaj Bidenit për t’iu përmbajtur marrëveshjes që ai bëri duke ia ndalur ndihmën ushtarake”, tha ajo.

Senatorja demokrate, Elizabeth Warren dhe senatori i pavarur, Bernie Sanders janë ndër ata që njoftuan se nuk do të marrin pjesë në fjalimin e Netanyahut. Derisa vizita e Netanyahut pritet të shkaktojë protesta, disa anëtarë të Kongresit po planifikojnë një ngjarje alternative.

Udhëheqësit republikanë dhe demokratë në Kongresin amerikan njoftuan më 31 maj se ftuan kryeministrin Netanyahu të fliste në seancën e përbashkët të Kongresit për të treguar solidaritetin e tyre me Izraelin.