SHBA: Bisedimet me Turqinë për vizat po japin fryte

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Turqia kishin një takim “produktiv” rreth çështjes së vizave, thuhet në një reagim me shkrim të Departamentit Amerikan të Shtetit në një pyetje të parashtruar nga Anadolu Agency (AA).

“Bisedimet ishin produktive dhe u bë një përparim thelbësor në axhendën e përgjithshme. Ne do ta trajtojmë si çështje prioritare me qëllim që të rivendosim shpejt procedurat normale të vizave”, tha Departamenti i Shtetit.

Palët diskutuan gjithashtu përbërjen dhe afatet për komitetin e përbashkët të punës së propozuar, me ç‘rast ranë dakord se vendimi do të duhet të finalizohet së shpejti.

Mosmarrëveshja u nxit më 8 tetor, kur ambasada e SHBA-ve në Ankara njoftoi pezullimin e shërbimeve të vizave jo emigruese për shtetasit turq, që erdhi si pasojë e arrestimit të një punonjësi lokal në Konsullatën amerikane në Stamboll, që shkaktoi një masë reciprociteti nga Ankaraja.

Shtetasit turk Metin Topuz, i konfirmuar nga konsullata e SHBA-ve në Stamboll si një punonjës lokal, iu shqiptua masa paraburgim mbi akuzat e terrorit.

Sipas një burimi gjyqësor, Topuz është i lidhur me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit të kaluar.

“Topuz ka qenë i lidhur me një numër të madh të dyshuarish me FETO-n, përfshirë komisionerët e policisë dhe ish-prokurorin Zekeriya Öz, një i arratisur i akuzuar për përpjekje për të përmbysur qeverinë përmes përdorimit të forcës”, theksoi burimi, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për të folur për mediat.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan tentativën e grusht shtetit të vitit të kaluar, i cili la dëshmorë 250 persona dhe rreth 2.200 të tjerë të plagosur.