SHBA, 72 për qind e votuesve thonë se Biden nuk zotëron shëndetin mendor për president

Një sondazh i publikuar dje në SHBA zbuloi se 72 për qind e votuesve të regjistruar besojnë se presidenti amerikan Joe Biden nuk zotëron shëndetin mendor dhe kognitiv të nevojshëm për të shërbyer në krye të shtetit, transmeton Anadolu.

Sondazhi, i kryer nga CBS News/YouGov, vjen mes shqetësimeve në rritje nëse Biden është i aftë mendërisht për postin pas debatit të parë presidencial të mbajtur të enjten përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Sondazhi tregoi se 45 për qind e demokratëve besojnë se Biden duhet të tërhiqet nga gara presidenciale për shkak të shqetësimeve shëndetësore.

Të anketuarit, kur u pyetën për aftësinë mendore dhe kognitive të ish-presidentit Donald Trump për të udhëhequr me presidencën, 50 për qind u përgjigjën “po” dhe 49 për qind “jo”.

Debati i së enjtes, i mbajtur nga CNN, intensifikoi diskutimet rreth aftësisë së Biden-it për një mandat të dytë. Pavarësisht se Trump nuk fitoi një avantazh të qartë, performanca e Biden-it nxiti edhe më shumë shqetësimet lidhur me shëndetin dhe moshën e tij.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit 2024, Biden dhe Trump u përballën në debatin e tyre të parë të drejtpërdrejtë.

Përpos thirrjeve rritje që Biden të tërhiqej, përfaqësuesi republikan i Teksasit, Chip Roy, paraqiti një rezolutë duke i bërë thirrje zv.presidentes Kamala Harris të mblidhte kabinetin dhe të thirrej në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA dhe për të ushtruar kompetencat si president në detyrë.

Në Rezolutë thuhet se Biden “ka demonstruar në mënyrë të përsëritur dhe publikisht një paaftësi për të kryer kompetencat dhe detyrat e presidencës, duke përfshirë kompetencat dhe detyrat e Komandantit të Përgjithshëm”.

Sipas Amendamentit të 25-të, zv.presidenti dhe shumica e kabinetit mund të votojnë për të shpallur një president “të paaftë për të kryer kompetencat dhe detyrat e zyrës së tij”, me ç’rast zv.presidenti bëhet ushtrues detyre.