Numri i viktimave nga zjarri i shkaktuar nga erërat e forta në qytetin Los Angeles të Kalifornisë në SHBA është rritur në pesë dhe shumë tjerë janë lënduar, thanë zyrtarët, transmeton Anadolu.
Autoritetet në Los Angeles thanë se një zjarr pyjor që shpërtheu në një nga lagjet luksoze të qytetit po vazhdon në gjashtë zona të veçanta dhe pesë persona kanë humbur jetën nga zjarri deri më tani.
Zyrtarët e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit thanë se ka ndodhur një nga zjarret më shkatërruese në historinë e qytetit, me gati 2.000 shtëpi të djegura plotësisht deri më tani.
Zjarri është përhapur në zonën e Hollywoodit, ku zyrtarët shtetërorë kanë urdhëruar evakuimin e rreth 100 mijë personave. Sipas mediave amerikane, shumë emra të njohur si Paris Hilton, Mandy Moore dhe Cary Elwes humbën shtëpitë e tyre nga zjarri.
Të gjitha shkollat në rajon janë mbyllur për shkak të zjarrit.
– Biden anulon vizitën në Itali
Presidenti amerikan Joe Biden ka anuluar udhëtimin e tij të fundit në Itali për shkak të zjarreve.
Biden njoftoi se ai nënshkroi një deklaratë federale të fatkeqësisë për të lehtësuar ndërhyrjen e Zyrës së Guvernatorit të Kalifornisë ndaj fatkeqësive natyrore.
Sipas PowerOutage.us, një faqe interneti që gjurmon ndërprerjet e energjisë elektrike në SHBA, rreth 1 milion shtëpi dhe biznese në Los Angeles janë pa energji për shkak se zjarri nuk është vënë nën kontroll.