SHBA, 16 të vdekur nga uraganet dhe përmbytjet

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën deri më tani për shkak të uraganeve dhe përmbytjeve në disa shtete federale të SHBA-së, transmeton Anadolu.

Në deklaratën nga Shërbimi Kombëtar i Motit të SHBA-së (NWS) thuhet se përmbytjet pritet të arrijnë “nivel serioz” në shumë rajone të shteteve Alabama, Mississippi, Kentucky dhe Tennessee për shkak të uraganeve që prekin këto shtete.

Autoritetet lokale paralajmëruan për uragane dhe përmbytje të shpejta në këto shtete, duke njoftuar se numri i njerëzve që humbën jetën nga përmbytjet u rrit në 16.

Bëhet e ditur se qindra rrugë në shtetin Kentucky janë bërë të papërdorshme për shkak të pemëve të rrëzuara, përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të gurëve. Madje, është raportuar se 2 mijë persona janë urdhëruar të evakuohen në një qytezë në veri të këtij shteti.

Sipas të dhënave të faqes FlightAware.com, janë anuluar 521 fluturime për dhe nga SHBA-ja si dhe janë shtyrë mbi 6.400 fluturime.