Albert Bunjaku nuk pret që lojtarët më të mirë nga Kosova, sidomos ata që aktualisht luajnë për Zvicrën, do të vendosin të luajnë për Kosovën.
Suksesi i Kosovës në eliminatoret për Botërorin 2018 në futboll do të varet nga fakti se sa lojtarë me emër do t’i bashkohen Kosovës në ditët e ardhshme.
Kështu ka thënë të enjten sulmuesi më i mirë i Kosovës, Albert Bunjaku, shkruan sot “Koha Ditore”. Por Bunjaku nuk pret që lojtarët më të mirë nga Kosova, sidomos ata që aktualisht luajnë për Zvicrën, do të vendosin të luajnë për Kosovën.
Kosova më 5 shtator luan ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Finlandës në Turku në kuadër të eliminatoreve për kampionatin botëror të futbollit “Rusia 2018”.
Në fillim të javës Milot Rashica, Alban Meha e Herolind Shala njoftuan se largohen nga Shqipëria dhe do të luajnë në të ardhmen për Kosovën. Të martën Sinan Bytyqi njoftoi se lë shpresat e Austrisë dhe se do të luajë tani e tutje për Kosovën.