Shakhtari dhe Interi ndahen në paqe

Shakhtar Donetsku dhe Interi kanë luajtur pa gola (0-0) në ndeshjen e dytë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Stadion NSK Olimpiyskiy të Kievit.

Manor Solomon ishte i pari që rrezikoi për vendasit, ndërsa Nicolo Barella e provoi fatin nga largësia duke goditur shtyllën.

Lautaro Martinez dhe Edin Dzeko u treguan të rrezikshëm, mirëpo skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.

Dodo ndërtoi një shans të mirë shënimi, por goditja e tij u bllokua nga lojtarët mysafirë. Ndërkohë, nikoqirët vazhduan ta kërkonin golin.

Duarkryq nuk qëndronin as Nerazzurrët, të cilët ishin në kërkim të golit të fitores. Një goditje të mrekullueshme e dhuroi Joaquin Correa, por priti portieri vendas. Një tjetër superpritje, Andriy Pyatov e bëri në goditjen me kokë që pasoi një ekzekutim nga këndi.

Pas këtij barazimi, Shakhtar Donetsku dhe Interi kanë nga një pikë në Grupin D dhe ndodhen në fund në renditje, pasi Real Madridi dhe FC Sheriffi kanë nga tri pikë (pa e zhvilluar përballjen ndërmjet tyre).