Ballina Artikuj Sferat e mendimit të prijësit të muslimanëve

Sferat e mendimit të prijësit të muslimanëve

Sabaudin Jashari

Parimi i pestë

Imam Hasan El Benna ka thënë: “Mendimi i prijësit të shtetit islam dhe zëvendësit (të autorizuarit) të tij duhet të merren në konsideratë në çëshjtet dhe ngjarjet, për të cilat nuk ka tekst sheriatik specifik apo ka tekste, por ato përmbajnë versione të ndryshme domethënëiesh – duke përzgjedhur njërën nga to –  dhe në fushën e interest të pacilësuar me cilësi juridike dhe sheriatike – hallall apo haram nëse nuk bie ndesh me ndonjë rregull sheriatik. Mendimi i tij mund të ndryshohet sipas rrethanave, traditës dhe zakoneve.

Baza e marrëdhënie në fushën e adhurimit është zbatimi rigoroz e i përpiktë i adhurimeve ashtu siç janë urdhëruar, pa i cënuar me modifikime të ndryshme dhe pa marrë parasysh nëse i dimë urtësisë e elemntëve të tyre apo jo. Baza e bashkëveprimit me marrëdhëniet ndërnjerëzore është njohja e urtësive, objektivave dhe synimeve të tyre”

Ky parim trajton:

Mendimin e imamit apo të zëvendësit të tij në ato çështje, për të cilat nuk ka tekst.

Interesat, llojet dhe dispozitat e tyre.

Gjërat në origjinë janë të lejuara.

Baza e konceptimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe adhurimeve.

1 – Prijësi musliman dhe zëvendësi i tij:

Prijësi, imami, kalifi, kryetari i përgjithshëm i shtetit islam.

Zëvendësi: çdo person i autorizuar nga prijësi i përgjithshëm për kryerjen e ndonjë pune në vend të tij, siç janë guvernatorët e provincave, gjykatësit, etj.

Karakteristikat e prijësit të muslimanëve:

Veç karakteristikave që e bëjnë ta meritojë këtë detyrë madhore, ai nëse nuk arrin gradën e ixhtihadit, duhet të jetë deomos largpamës, ta njohë sheriatin dhe dispozitat e tij në atë masë që t’i mundësojë perceptimin e drejtë të gjërave, të jetë njeri i sinqertë dhe largimit në bazë të egos së tij.

Sferat e veprimit në bazë të mendimit të prijësit të muslimanëve:

1 – Mungesa e tekstit me domethënie unike e të prerë.

2 – Tekste me versione të shumta domethëniesh.

3 – Interesat e pacilësuara.

Së pari: Mungesa e tekstit me domethënie unike të prerë:

Termi teks (nass) herë ka për qëllim ajetet kuranore dhe hadithet profetike, pavarësisht nëse janë me domethënie absolute dhe të prerë apo me versione të ndryshme domethëniesh dhe herë të tjera ka për qëllim tekstin me domethënie unike e të prerë që përmban vetëm një domethënie, p.sh. “Ato janë dhjetë ditë të plota.”[1] Ditët që agjërohen në haxh. Ky ajet nuk mund të përmbajë më shumë se kuptimin e numrit.

Ndërsa imam shehidi ka për qëllim çështjet e diskutueshme, argumentet e të cilave nuk janë me domethënie unike të prerë, por me versione të ndryshme domethëniesh.

Së dyti: Tekste që përmbajnë dispozita alternative:

Bëhet fjalë për ato çështje, për të cilat ekzistojnë argumente, por këto argumente për shkak të natyrës së tyre e vendosin prijësin përpara disa zgjedhjeve. Kjo gjë i jep të drejtën të zgjedhë atë që është më me interes për Islamin dhe muslimanët.

Si për shembull: trajtimi i robërve të luftës

Islami ka vendosur përpara prijësit të muslimanëve disa zgjedhje:

1 – Lirimin pa kushte,

2 – Shpagimin me pasuri, shkëmbim robërish ose interesa të tjera të mundshme,

3 – Ekzekutimin me vdekje,

4 – Robërimin.

Së treti: Interesat e pacilësuara:

Interesi: Përfitimi i dobisë dhe mënjanimi i dëmit.

LLojet e interesit:

1 – Interesa të pranuara: Janë ato interesa që i ka deklaruar Sheriati si të pranueshme dhe për realizimin e tyre ka përligjur dispozita, që të çojnë pikërisht tek këto interesa. P.sh. ruajta e fesë, e jetës, e mendjes, nderit dhe e pasurisë. Allahu ka përligjur xhihadin për ruajtjen e fesë, ndëshkimin me vdekje për ruajtjen e jetës, ndëshkimin e pirjes së alkolit për ruajtjen e mendjes, ndëshkimin e imoralitetit dhe akuzës morale për të rujtur dinjitetin dhe ndëshkimin e vjedhjes për të ruajtur pasurinë.

2 – Interesa të refuzuara: Janë ato interesa që i ka refuzuar Sheriati përmes dispozitave përkatëse që realizojnë këtë refuzim. P.sh: Interesi i barazimit të femrës me vëllain e saj në trashëgimi.

3 – Interesa të pacilësuara: Janë ato interesa për të cilat Sheriati në tekstet e tij nuk ka dhënë ndonjë cilësim për t’i pranuar apo për t’i refuzuar. Quhen interes sepse sjell dobi e largon dëm dhe quhet e pacilësuar sepse nuk ka për të vlerësim juridik, sheriatik të drejtpërdrejtë. P.sh: mbledhja e Kuranit në një libër (mus’haf) të vetëm apo regjistrimin e popullsisë, etj.

Kushtet e marrjes në konsideratë të interesit të pacilësuar:

1 – Të jetë interes real dhe jo i rremë.

2 – Të jetë interes i përgjithshëm dhe jo individual.

3 – Të mos përplaset me ndonjë dispozitë sheriatike që buron nga Kurani apo Suneti.

Dallimi mes tri sferave:

Sfera e tekstit me domethënie jo të prerë: Kështu kemi tekst nga Kurani dhe Suneti, por domethënien nuk e kemi të përcaktuar apo unike e të prerë.

Sfera e tektsit me dispozita alternative: Këtu kemi të bëjmë me argument të drejtpërdrejtë, por që përmban dispozita alternative e të përzgjedhshme, kur prijësit i lind e drejta të përzgjedhë njërën prej tyre.

Sfera e interesit të pacilësuar: Këtu nuk ka argument që pranon apo refuzon interesin.

Zbatimi i mendimit të imamit është i kushtëzuar me mospërplasjen me ndonjë parim sheriatik:

Imam El Benna sqaron se mendimi i imamit apo i zëvendësit të tij zbatohet në rastet e përmendura më sipër, nëse nuk bien ndesh me ndonjë parim sheriatik. Në të kundërt, hidhet poshtë dhe nuk merret në konsideratë, por i jepet përparësi Kuranit dhe Sunetit.

Ndryshimi i mendimit sipas rrethanave:

Shembull: Othmani urdhëroi që devetë e humbura të mblidheshin. Kurse në kohën e Profetit (a.s) liheshin të lira derisa t’i gjente pronari i tyre. Kjo ndodhi për shkak se këto deve filluan të vidheshin, ndërsa në kohën e Profetit (a.s) nuk ndodhte një gjë e tillë.

Shembull: Ebu Bekri i barazoi në mbështetjen sociale shtetasit që ishin bërë muslimanë para çlirimit të Mekës me ata që ishin bërë pas çlirimit të saj, ndërsa Omeri i diferencoi duke u dhënë më shumë atyre para çlirimit.

Fushat në të cilat nuk është i detyrueshëm zbatimi i mendimit të prijësit të muslimanëve:

Zbatimi i mendimit të prijësit të muslimanëve nuk është i domosdoshëm në fushën e çështjeve të përkushtimit fetar individual, si për shembull ngritja e duarve kur bien ë ruku, apo kur ngrihesh nga rukuja, etj.

Fushat në të cilat është i detyrueshëm zbatimi i mendimit të prijësit të muslimanëve:

Çështjet për të cilat mendimi i prijësit është vendimtar janë ato çështje të cilat, pavarësisht se mund të jenë të debatueshme, kanë nevojë për marrje vendimi dhe ekzekutimin e tij e që janë me reflektim shoqëror apo global. Në këtë kontekst mund të përmendim vendimet gjygjësore, ato të luftës si dhe ato dispozita që kanë të bëjnë me interesa konkrete praktike dhe jetësore në jetën e përditshme të kësaj bote apo botës tjetër, si p.sh. mbledhja e Kuranit në mus’hafe.

2 – Baza e marrëdhënieve me adhurimet dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore

Baza e marrëdhënieve me adhurimet është respektimi rigoroz i tyre:

Imam El Benna sqaron këtu një parim shumë të rëndësishëm: Allahu i Madhërishëm është Ai që ka përligjur adhurimet, që ka përcaktuar format e tyre, kohët e cakturara, kushtet dhe vendet e tyre. Sakaq baza e marrëdhënieve me këto adhurime është respektimi rigoroz i tyre pa cënuar asnjë element të tyre, pavarësisht nga perceptimi i motivimeve dhe urtësive apo nga mosperceptimi i tyre, duke qenë të sigurt se çdo element i këtyre adhurimeve është përligjur për një motiv apo urtësi të caktuar, disa prej të cilave i njohim e disa të tjera nuk i njohim.

Shembuj të adhurimeve të pacënueshme:

Abdesi dhe gusli: duhet të realizohen me ujë natyral dhe jo me lëngje të tjera, të cilat mund të jenë të pastra në vetvete.

Agjërimi: është një adhurim me fillim dhe mbarim të përcaktuar dhe me privim nga gjëra të përcaktuara.

Imam El Benna ka për qëllim të thotë se ixhtihadi i prijësit të muslimanëve apo i çdo personi tjetër nuk mund të zhvillohet brenda sferës së adhurimeve, duke u nisur nga interesi apo lehtësimi ndaj njerëzve.

Shembuj të këtij ixhtihadi të gabuar:

Kalimi i namazit të xhumasë nga dita e premte në një ditë tjetër për arsye se njerëzit janë të ngarkuar me punë në këtë ditë dhe të lirë në një ditë tjetër.

Ndërrimi i kufijve kohorë, ditorë apo mujor të agjërimit dhe kalimi i tij në një kohë tjetër brenda ditës apo natës, apo një muaj tjetër.

Hedhja e gurëve në haxh në ndonjë vend tjetër përveç Akabesë.

Baza e bashkëveprimit dhe dispozitat e marrëdhënieve ndërnjerëzore:

Baza e bashkëveprimit me këtë lloj dispozitash, është marrja në konsideratë e urtësive dhe e objektivave të dispozitave. Thënë ndryshe, gjatë zbatimit të këtyre dispozitave, orientues kryesor janë objektivat dhe synimet e tyre, pra realizimi i këtyre objektivave dhe synimeve.

Imam El Benna ka për qëllim të thotë se mendimi i prijësit të muslimanëve brenda sferës së këtyre dispozitave, është i zbatueshëm duke pasur parasysh kushte e lartpërmendura.

Autor: Sabaudin Jashari

[1] – Sure Bekare.

Exit mobile version