Adnan Januzaj është i lirë për të gjetur skuadër për sezonin 2024/25.
Mediumet spanjolle kanë raportuar të mërkurën se Sevilla ka njoftuar Januzajn se nuk bën pjesë në planet e klubit dhe duhet të kërkoj ambient të ri.
Te Sevilla nuk llogaritin në Januzajn, i cili thuhet se ka refuzuar shkëputjen e kontratës me ekipin nga La Liga.
29-vjeçari ka kontratë me Sevillan deri në vitin 2026 dhe një pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh, prej të cilës nuk dëshiron të heq dorë përkundër faktit se është njoftuar se nuk bën pjesë në projektin e klubit.
Te Sevilla po shpresojnë të marrin ndonjë ofertë nga ekipet tjera për Januzajn, të cilin janë të gatshëm edhe ta huazojnë për sezonin e ri.
Ai iu bashkua Sevillas në vitin 2022 si lojtar i lirë, ndërsa sezonin e fundit pati vetëm 11 paraqitje në të gjitha garat.