Rumania, një shtet anëtar i Bashkimit Europian, ish-pjesëtar i Perandorisë Komuniste dhe me shumicë të krishterë, ka bërë një revolucion politik dhe kulturor.
Sapo ka emëruar një grua muslimane si kryeministre të vendit.
Sevil Shhaideh, një 52-vjeçare, ekonomiste me profesion, që vjen nga qyteti bregdetar i Kostancës, është e martuar me një sirian prej vitesh. Ajo i përket komunitetit tatar në Rumani dhe origjinën e ka nga fshati Babatag, ku kanë banuar tatarët e Rumanisë.
Zonja Shhaideh është propozuar si shefe e qeverisë nga Partia Socialdemokrate që fitoi zgjedhjet e 11 dhjetorit, pasi lideri i saj, Liviu Dragnea nuk mund të zgjidhet; ai është i dënuar për mashtrim zgjedhor.
Në një koment të saj, prestigjozja Neë York Times thekson se emërimi i së parës grua dhe të parës muslimane si kryeministre e vendit, vjen si përpjekje për të zbutur atmosferën e krijuar në fushatë ku pati mjaft qarqe që synonin të ringjallnin fanatizmin dhe nacionalizmin ortodoks.
Por sipas analistëve, emërimi i zonjës Sevil Shhaideh, shihet dhe si një manovër e socialdemokratëve për të rritur besimin tek njerëzit, pasi ajo shihet si një teknokrate e zonja dhe grua me moral të pastër.
Klasa politike në Rumani është mjaft jo-popullore për shkak të skandaleve të shumta të korrupsionit nga drejtues të thuajse të gjitha kampeve politike.
Pas hyrjes në BE, Rumania ka ngritur institucionin e Prokurorisë Speciale, që drejtohet nga një grua, institucion që ka ndërmarrë arrestime të shumta të krerëve të lartë, zyrtarëve më të mëdhenj të vendit, duke përfshirë kryeministra, ministra e kryetarë bashkish, që akuzohen për korrupsion dhe abuzime me fondet publike.
Sevil Shhaideh, një nga ekonomistet më të njohura në vend ka drejtuar Ministrinë e Zhvillimit ku spikati për rregull dhe ndershmëri.
Zonja Shhaideh, në vitin 2011 u martua me Akram Shhaideh, një shtetas sirian që jeton prej vitesh në Rumani.
Në faqen e saj në rrjetet sociale, publiku e ka pritur mirë emërimin e saj dhe shumë qytetarë, që edhe pse i përkasin religjionit të krishterë gjykuar nga emrat, i shprehin respekte dhe konsiderata.
Mediat rumune theksojnë se Sevil është një grua që flet pak por që punon shumë dhe këtë e ka treguar edhe kur rilindi qytetin e Konstancës me projektin e saj ekonomik për bujqësinë e turizmit, por edhe në postin e Sekretares së Shtetit për Zhvillimin Ekonomik.
Edhe pse opozita ka akuzuar socialdemokratët po përfiton nga një grua, asnjë forcë politike nuk e ka sulmuar si kryeministren e re, por as faktin që është një muslimane.
Këto janë fakte të rëndësishme në historinë botërore që po sjellin një erë normale zhvillimi që u vu re që me zgjedhjen e Londrës në vitin e shkuar që votoi të parin kryebashkiak musliman, por edhe me raste të tjera.
Në Rumani emërimi i një muslimane si kryeministre u prit si një gjë krejt normale. Por në trevat shqiptare ç’do kishte ndodhur? Mjaft të shihet se si iu turrën BESËS në Maqedoni, ku edhe pse për eksponentët e saj nuk arrinin të thonin asnjë gjë që mund t’i vinte nën akuzë, sërish u rrekën të thonë diçka që as vetë nuk e dinin se ç’ishte ajo që duhej të thonin…/Tesheshi