Koreja e Jugut pretendoi se të paktën 300 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë në luftime me Ukrainën, transmeton Anadolu.
Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut informoi deputetët për të dhënat e fundit, duke shtuar se rreth 2.700 ushtarë të tjerë të Koresë së Veriut u plagosën, bëri të ditur Yonhap News.
Zbulimi nga agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dje shprehi gatishmëri t’i dorëzonte Phenianit dy ushtarë të kapur të Koresë së Veriut në këmbim të kthimit të të burgosurve ukrainas që mbaheshin në Rusi.
Të paktën dy ushtarë të Koresë së Veriut ishin kapur nga forcat ukrainase, pretendoi Zelenskyy.
Pheniani dhe Moska kanë heshtur për këto zhvillime, teksa Seuli dhe aleatët e tij perëndimorë pretenduan disa muaj më parë se Koreja e Veriut kishte dërguar ushtarë në Rusi për të luftuar kundër Kievit.
Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut tha se “viktimat masive” midis ushtarëve të Koresë së Veriut ishin për shkak të “mungesës së të kuptuarit të luftës moderne”, duke përfshirë “aktin e tyre të padobishëm të të shtënit ndaj dronëve me rreze të gjatë”.
Raportet për dërgimin e trupave morën rëndësi që kur Pheniani dhe Moska nënshkruan një pakt gjithëpërfshirës të mbrojtjes vitin e kaluar, duke kërkuar që secila palë t’i japë ndihmë ushtarake njëra-tjetrës në rast agresioni nga një palë e tretë.
Muajin e ardhshëm bëhen tre vjet nga lufta Rusi-Ukrainë, pasi Moska filloi “operacionin e saj special ushtarak” kundër Kievit në shkurt 2022.