Eksperti amerikan dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor dhe profesori në Universitetin ‘John Hopkins’, Daniel Serwer, ka thënë se me ngritjen e aktakuzave vetëm ndaj krerëve të UÇK-së, Gjykata Speciale po tregon karakterin e njëanshëm, duke thënë se “fajësimi i njerëzve për krime të luftës dhe kundër njerëzimit duhet të mirëpritet, por të akuzohet UÇK-ja dhe jo forcat serbe të sigurisë, të cilët vranë shumë tepër civilë sesa UÇK-ja, është me të vërtetë absurde”.
“Kisha rastin të lexoja skemën e akuzave kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe drejtuesve të tjerë të UÇK-së të paditur nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Derisa këto ishin shkaktuar nga raporti i Dick Marty, Dhomat e Specializuara kanë miratuar një përkufizim të gjerë të krimeve që janë duke i hetuar. Unë madje nuk jam i sigurt nëse aktakuza e redaktuar përfshinte akuza në lidhje me trafikimin e organeve, që Marty i kishte pretenduar. Ai pati deklaruar se kishin prova të mjaftueshme sa për të filluar gjyqin”, ka shkruar Serwer, në një analizë të publikuar në blogun e tij peacefare.net.
Më tej Serwr shkruan se “nëse ato krime në ‘Shtëpinë e verdhë’ në veri të Shqipërisë përfshihen në këtë aktakuzë, ato përfshijnë një pjesë të vogël të të gjitha krimeve”.
“Atë çfarë bëri gjykata është të akuzojë udhëheqjen e UÇK-së si një ndërmarrje e përbashkët kriminale që ka kryer me dashje krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Viktimat ishin ‘kundërshtarë’ civilë jo-ushtarakë, identiteti etnik i të cilëve nuk është specifikuar, por të dhënat përfshijnë qartë shqiptarët ashtu sikurse edhe serbët”, shkruan analisti ameerikan, përcjell Telegrafi.
Serwer thotë se “do ketë shumë njerëz në Serbi po ashtu edhe disa në Kosovë që do t’i gëzohen kësaj aktakuze. Krimet, ndonjëherë sipas vetë aktakuzës të kryera si pasojë e abuzimeve serbe kundër civilëve, ishin të dukshme në kohën e luftës”.
“Ajo që prokurori kërkon të tregojë është se kriminaliteti i tyre nuk ishte sjellje spontante, por më tepër një përpjekje e organizuar, e drejtuar nga udhëheqja e lartë e UÇK-së”.
“Shumë nga detajet janë duke u redaktuar në versionin publik të aktakuzës, por disa prej detajeve me sa duket do të bëhen publike, derisa gjykata procedon me dëshmitarë dhe prova të tjera. Mbrojtja do të mohojë akuzat. Ne atëherë do të kemi një mundësi të gjykojmë vetë vlefshmërinë e portretit të prokurorit të UÇK-së.
Por, ajo që tashmë u bë e qartë është karakteri i njëanshëm i kësaj përpjekjeje gjyqësore. Fajësimi i njerëzve për krime të lufës dhe kundër njerëzimit duhet të mirëpritet, por të akuzohet UÇK-ja dhe jo forcat serbe të sigurisë, të cilët vranë shumë tepër civilë sesa UÇK-ja, është me të vërtetë absurde”, ka shkruar Serwer, përcjell Telegrafi.
Ai më tej shkruan se “tashmë ishin bërë tri gjykime të serbëve në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për sa i përket krimeve në Kosovë. Ish-presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq vdiq para se t’i kryhej gjykimi. Në dy gjykimet e tjera, gjashtë zyrtarë të lartë të Jugosllavisë dhe Serbisë u dënuan. Ata gjithashtu u akuzuan për një ndërmarrje të përbashkët kriminale, njëra që kishte për synim shqiptarët e Kosovës që në mënyrë të qartë kërkohej ndryshimi i përbërjes etnike të popullsisë”.
“Nëse e kam lexuar si duhet mandatin e Dhomave të Specializuara, ai ka juridiksion mbi autorët serbë në Kosovë gjatë periudhës 1 janar të vitit 1998 e deri më 31 dhjetor të vitit 2000; megjithëse parlamenti serb, ndryshe nga ai i Kosovës, nuk e ka miratuar një gjykatë të huaj”.
“Pretendimi i prokurorit për të qenë i drejtë do të ishte shumë më i fortë nëse ai do të kishte ngritur akuza edhe kundër komandantëve serbë aktivë në Kosovë gjatë asaj kohe. Ka komandantë që ishin drejtpërdrejt përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë dhe për vrasjen e tre shqiptaro-amerikanëve në Serbi menjëherë pas luftës, të cilët ende po gëzojnë pozicione të shquara në politikën serbe dhe në forcat e sigurisë”.
“Qofshin serbë apo shqiptarë, të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet e kundërta, të paktën në gjykatë. Edhe ata shqiptarë që kundërshtuan dhunën në atë kohë dhe ishin viktima të mundshme sipas kësaj aktakuze – do të duhej rezistuar ndaj abuzimeve serbe. Ndikimi politik si në Serbi ashtu edhe në Kosovë mund të jetë thelbësor. Le të shpresojmë se do të jetë në favor të mirëkuptimit dhe të pajtimit më të madh reciprok, megjithëse i kam dyshimet e mia”, thotë Serwer në analizën e tij.