Sërish rivalitet ndërmjet Guardiolës dhe Kloppit

Një nga rivalitetet më të qëndrueshme të Premier League duket se do të ringjallet pasi Manchester City dhe Liverpooli kryesojnë sërish tabelën.

Vetëm një pikë i ndan dy skuadrat në krye të renditjes, pasi City i vendit të parë u ndal në barazim 4:4 nga Chelsea, të dielën. Më herët gjatë së dielës, Mohamed Salah shënoi dy gola në fitoren 3:0 të Liverpoolit kundër Brentfordit. Kjo bëri që për pak kohë klubi nga Merseyside të jetë në nivel të njëjtë me kampionin në fuqi, Cityn.

Renditja aktuale ofron një përplasje joshëse mes Cityt dhe Liverpoolit më 25 nëntor, menjëherë pas pushimit ndërkombëtar. Nënkampioni i edicionit të kaluar, Arsenali, është gjithashtu një pikë prapa Cityt dhe në vendin e tretë për shkak të goldallimit. Tottenhami është i katërti, dy pikë larg Cityt, pas humbjeve rresht.

Sfida e Liverpoolit për titullin e kampionit vjen pas largimit nga gara vitin e kaluar. Kjo ndodhi pasi Juergen Kloppi filloi rifreskimin e një skuadre që kishte fituar çdo trofe të madh nga viti 2019 deri më 2022. Një kampanjë zhgënjyese bëri që 19 herë kampioni i Anglisë të dështonte të kualifikohej në Ligën e Kampionëve dhe ngriti dilema nëse do të ishte në gjendje ta sfidonte Cityn pas largimit të disa yjeve, përfshirë Sadio Manen.

Ekipi me pamje të re i Kloppit po u përgjigjet të gjitha këtyre dyshimeve, ndërsa Salah mbetet lojtari kyç. Sulmuesi egjiptian shënon golin e 200-të në futbollin anglez kundër Brentfordit. Fitorja e së dielës bëri që Liverpooli të kalojë Arsenalin dhe tani synon ta rrëzoj Cityn nga froni në ndeshjen direkte për lidership.

“Nëse do të mbajmë këtë pozitë, të paktën deri në muajin mars, atëherë mund të flasim për titullin e kampionit. Ende nuk po bëjmë lojë perfekte, por shpresoj se pas pushimit do të tregojmë diçka më shumë edhe pse nuk do të jetë lehtë”, është shprehur trajneri i Liverpoolit, Klopp.

Sulmuesi i Cityt, Erling Halaand dhe ai i Liverpoolit, Salah, shënuan nga dy gola të dielën për të vazhduar ecurinë e tyre mbresëlënëse këtë kampionat. Haaland ka 17 gola në të gjitha garat, ndërsa Salah ka arritur në kuotën e 12 golave.

Salah gjithashtu u bë lojtari i parë i Liverpoolit që shënon në secilën në gjashtë ndeshjet e para të ligës në shtëpi brenda një edicioni.

“Liverpooli është shumë i rrezikshëm. Në fakt është një skuadër shumë e mirë. Do të jetë përballje e vështirë por nuk mund të them se është vendimtare për titullin e kampionit. Ka edhe shumë ndeshje deri në fund të edicionit”, ka thënë trajneri i Cityt, Guardiola.

Pas 12 xhirove të zhvilluara deri më tani në kampionatin anglez, City ka nëntë fitore, një barazim dhe dy humbje. Në anën tjetër, Liverpooli ka regjistruar tetë fitore, tri barazime dhe vetëm një disfatë.

Përballja e parë e këtij edicioni mes këtyre dy skuadrave në Premier League zhvillohet në “Etihad Stadium”.