Ballina Lajmet Serbia thotë se i paguan borxhet Kosovës deri në vitin 2041

Serbia thotë se i paguan borxhet Kosovës deri në vitin 2041

Gazeta “Blic” e Beogradit sot shkruan se borxhi përfundimtar i Kosovës më 30 qershor të këtij ka qenë 304,5 milionë euro. Por, ankohet kjo gazetë, borxhin nuk e paguan Kosova, veçse Serbia dhe këtë ajo do ta bëjë gjithnjë deri në vitin 2041, kur për pagesë në Beograd shkon edhe detyrimi i fundit ndaj kreditorëve.

Sipas këtij mediumi, pjesën më të madhe të borxhit të Kosovës Serbia tashmë e ka paguar sepse detyrimet para dhjetë vjetësh ishin rreth një miliard euro.

Sipas shënimeve të Bankës Popullore të Serbisë (NBS), detyrimet e Kosovës të cilat i ka marrë Serbia me marrëveshje të riprogramuara që janë arritur në periudhën nga 2002 deri në vitin 2005, kanë qenë rreth 932,73 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre borxheve janë marrë me marrëveshje nga vitet e 70-ta deri në ato të 90- të shekullit të shkuar.

Kreditorët dhe shumat janë të ndryshme, thotë ky medium dhe sipas tij Serbia duhet t’i paguajë borxhe Bankës Botërore (433,31 milionë euro), Klubit të Parisit (297,20 milionë euro), Klubit të Londrës (169,85 milionë euro), Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (5,79 milionë euro), Shoqatës së Hekurudhave Europiane (4,62 milionë euro), Kuvajtit (18,10 milionë euro) dhe BE-së për detyrime ndaj Bankës Europiane për Investime (0,43 miliona euro).

Guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë (NBS), Jorgovanka Tabakoviq ditë më parë ka thënë se Serbia po paguan këto borxhe të Kosovës sepse ai territor me Kushtetutë është pjesë e Serbisë.

“Po, kjo është specifike. Serbia e paguan atë borxh, sepse Kosovën e konsideron territor të vetin”, ka thënë ajo.

Nga viti 2002 deri më tash, sipas Blicit, Serbia borxhe për Kosovën ka paguar rreth 649,68 milionë euro.

Exit mobile version