Serbia thotë se e ka ndaluar një ish-pjesëtar të UÇK-së në Horgosht

Në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, atë të Horgoshit, autoritetet serbe thonë se mëngjesin e sotëm kanë arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

Sipas gazetës serbe “Danas”, “M.I. është i dyshuar për krime lufte, së bashku me pjesëtarët e të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kundër bashkëshortëve të nacionalitetit serb në Prishtinë në vitin 1999”.

Gazeta ka cituar zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është edhe ministër i punëve të brendshme.

Gjithnjë sipas gazetës serbe, Daçiqi ka deklaruar se “ata janë rrëmbyer me forcë, janë dërguar në një burg të improvizuar ku kanë vazhduar t’i keqtrajtojnë fizikisht dhe psiqikisht”.

“Sipas urdhrit të Prokurorisë Publike për Krime Lufte, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit deri në 48 orë dhe më pas me kallëzim penal do të dërgohet në Prokurorinë Publike për Krime Lufte”.

“Për shkak të veprimeve hetimore që po kryhen nga Prokuroria Publike për Krime Lufte, nuk jemi në gjendje të japim më shumë detaje për të mos rrezikuar hetimet”, citon “Danas” të ketë thënë Daçiqi.