Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia ka siguruar llojin e pestë të vaksinës kundër koronavirusit nga kompania farmaceutike amerikane, Moderna.
Vuçiq tha të enjten se dozat e kësaj vaksine do të arrijnë në Serbi në tetor.
Qytetarët serbë janë vaksinuar deri më tash me vaksina të siguruara nga Rusia dhe Kina, si dhe nga kompania amerikane Pfizer/BioNTech dhe ajo anglo-suedeze AstraZeneca.
Vuçiq tha se Serbia, në këtë moment, ka 1.3 milion vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë në dispozicion për qytetarët.
Ai u bëri thirrje epidemiologëve që të marrin vendim, nëse qytetarët duhet të vaksinohen me dozën e tretë ose jo.
“U bëj thirrje njerëzve që të vaksinohen, sigurisht do të na duhet edhe doza e tretë”, tha Vuçiq.
Ditë më parë, kompania farmaceutike Pfizer ka thënë se do të kërkojë nga autoritetet shëndetësore miratimin e dozës së tretë përforcuese.
Kompania ka përmendur një rrezik në rritje të infeksionit gjashtë muaj pas imunizimit me dy doza, por nuk i ka ndarë ende të dhënat që tregojnë për atë rrezik.
Vuçiq tha të enjten se në ditët në vijim, Instituti “Torlak” i Serbisë do të nxjerrë serinë e parë të vaksinës ruse Sputnik V, ndërsa, muajin e ardhshëm, shtoi ai, do të vendoset gurthemeli i fabrikës për prodhimin e vaksinës kineze Sinopharm në Serbi. /rel