“Ky është persekutim. Frikësimi. Mëkat dhe turp!”.
Me këto fjalë, Ivana Nikoliq nga Leposaviqi, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, e komenton arrestimin e bashkëshortit të saj, Draganit, nga autoritetet serbe të sigurisë më 10 prill në vendkalimin kufitar në Jarinje.
Dragani akuzohet për “bashkim kundër rendit kushtetues të Serbisë” dhe “thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.
Ndryshe, Dragan Nikoliq ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, me kërkesë të Listës Serbe. Kjo parti, më e madhja e serbëve të Kosovës, ka mbështetjen e Partisë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Përveç përfaqësuesve politikë dhe punonjësve të Policisë, dorëheqje kanë dhënë edhe punonjësit e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe ata të administratës lokale. Shkak i dorëheqjeve ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar procesin e riregjistrimit nga targat serbe në ato RKS.
Përveç Dragan Nikoliqit, ditëve të fundit për të njëjtat dyshime janë arrestuar edhe dy serbë nga veriu i Kosovës me iniciale D.T. dhe S.P.
Autoritetet serbe nuk janë prononcuar lidhur me këto arrestime, por për këtë kanë folur avokatët e të arrestuarve.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Ivana Nikoliq thotë se arrestimi i bashkëshortit të saj është “kulmi i padrejtësisë” që iu bë, pasi që shtëpia e tyre u dogj shtatorin e kaluar “për shkak se e kishin riregjistruar veturën me targa RKS (Republika e Kosovës)”.
Më pas, sipas saj, i është anuluar kompensimi monetar i bashkëshortit të saj, të cilin Beogradi ua jep të gjithë atyre që janë larguar nga institucionet e Kosovës.
“Nuk e di cili është qëllimi. A është qëllimi për ta dëbuar familjen tonë nga territori i Kosovës? Ky (arrestimi) është një akt i tmerrshëm”, thotë ajo për REL-in.
Ajo përmend përfshirjen e saj politike në Partinë opozitare të Serbëve të Kosovës (PKS) si “motiv për “persekutimin e familjes së saj”. Ajo ishte në listën e kësaj partie për asambliste në Kuvendin e Komunës së Leposaviqit në zgjedhjet lokale të Kosovës më 23 prill.
Megjithatë, lideri i PKS-së, Aleksandar Jabllanoviq, u tërhoq tri ditë para zgjedhjeve dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij që ta bojkotojnë procesin.
Këto zgjedhje u bojkotuan edhe nga Lista Serbe, për çka pati mbështetjen e Beogradit.
Ivana Nikoliq pretendon kategorikisht se bashkëshorti i saj nuk ka asnjë lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet serbe dhe beson se bëhet fjalë për një “rast të fabrikuar”.
“Shpresoj që autoritetet tona (në Serbi) ta shohin dhe ta dëgjojnë këtë, të na lënë të jetojmë të qetë sepse ne nuk po e prekim askënd, nuk po e dëmtojmë askënd”, thotë ajo.
Ivana nënvizon se pavarësisht gjithçkaje, nuk do të largohet nga Kosova.
“Do të vazhdoj të luftoj për mbijetesën e familjes sime… Mendoj se së bashku me avokatin tonë do të dalim nga e gjithë kjo si fitues, me një fitore të madhe”, thotë Ivana.
Ivan Niniq, avokat i të arrestuarit Dragan Nikoliq, thotë se më 10 prill klienti i tij nga vendkalimi në Jarinje është dërguar në Shërbimin për Parandalimin e Terrorizmit nga dy persona të maskuar.
Pas marrjes në pyetje, ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, e cila ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Dënimi me burgim në Serbi për krimet për të cilat ai akuzohet – komplot kundër rendit kushtetues të Serbisë dhe thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë – është dhjetë vjet.
Ndër të tjera, sipas avokatit, Dragan Nikoliq akuzohet se ka qenë pjesëtar i një grupi të organizuar kriminal me katër ose pesë persona të tjerë të kombësisë serbe dhe dy të kombësisë shqiptare, qëllimi i të cilëve ishte “ndërrimi i dhunshëm i pushtetit, d.m.th. përmbysja e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”.
“Konkretisht, se ai shpërndau material propagandistik, ku serbët ftohen të riregjistrojnë veturat e tyre motorike me targa të Kosovës ose të largohen nëse nuk e bëjnë këtë… Se ka nxitur konflikte, se ka nxitur trazira. Se të gjitha këto aktivitete kanë rezultuar edhe me djegien e veturave në pronësi të serbëve. Që persona të caktuar janë arrestuar për shkak të atyre zjarrvënieve, dhe se gjoja klienti im Dragan Nikoliq, si dhe anëtarët e tjerë të atij grupi, ua kanë dhënë informacionin e identitetit forcave të policisë së Kosovës”, thotë avokati Niniq.
Ai thekson se Nikoliq akuzohet se “ka kontribuar në plagosjen e disa personave të nacionalitetit serb në veri të Kosovës në janar të këtij viti”.
Më 23 janar, Policia e Kosovës njoftoi se në afërsi të Leposaviqit është qëlluar me një veturë, e cila nuk është ndalur për kontroll dhe se ka identifikuar dy të dyshuar të cilët janë përfshirë në dhjetëra krime dhe kundërvajtje, duke përfshirë vrasjen, kanosjen, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, etj.
Ndryshe, autoritetet kosovare akuzojnë “grupet kriminale të afërta me Listën Serbe dhe Beogradin” për djegien e veturave me targa RKS në veri të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë që të japin më shumë informacion për arrestimin e Nikoliqit dhe dy serbëve të tjerë të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Nuk janë përgjigjur as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Avokati Ivan Niniq, nga ana tjetër, thotë se Prokuroria planifikon të dëgjojë dhjetë dëshmitarë në fillim të muajit maj, nga të cilët, thotë ai, të paktën pesë janë anëtarë të Partisë Progresive Serbe, përkatësisht të Listës Serbe.
“Ne besojmë se ky proces është i natyrës politike, se është i inskenuar. Se i shërben qëllimit të frikësimit të serbëve të pabindur, në radhë të parë në veri të Kosovës, por edhe të gjithë atyre serbëve që i rezistojnë politikës së Listës Serbe”, vlerëson ai.
Ai shton se aktualisht nuk ka asgjë që tregon se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka prova për veprimet, për të cilat akuzohet klienti i tij dhe beson se do të lirohet pasi t’i dëgjojë dëshmitarët.
Ndryshe, thotë avokati Niniq, për herë të parë do të prezantohen para opinionit “faktet dhe argumentet për detajet dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve në veri të Kosovës”.
Për këto argumente ai për momentin nuk ka dashur të flasë më në detaje, por ka thënë shkurt se “opinioni do të jetë i befasuar me atë që po ndodh në veri të Kosovës në 15 vjetët e fundit, veçanërisht në sektorin e sigurisë”.
REL ka kontaktuar edhe me avokatin e të arrestuarit S.P.
Ahmed Delimexhac gjithashtu pretendon se është një “proces i inskenuar politikisht” dhe se klienti i tij është arrestuar nga autoritetet serbe bazuar në “një notë zyrtare nga policia në Beograd”.
“Policia thirri njerëzit në Kosovë, në telefon, dhe ata njerëz në biseda telefonike u thanë se klienti im dhe persona të tjerë nga ky grup iu afruan në rrugë dhe u thanë me raste: Çfarë doni më, Serbia nuk ekziston më këtu, kjo është Kosova, duhet t’i njihni autoritetet e Kosovës. Dhe, se kinse kanë shpërndarë disa fletëpalosje me atë propagandë për pavarësinë e Kosovës”, thotë avokati Delimexhac.
Sipas tij, “arrestimi i personave në bazë të notës zyrtare është skandaloz sepse një gjë e tillë nuk është e mundur në bazë të Ligjit penal të Republikës së Serbisë”.
Ai sqaron, gjithashtu, se rasti është në fazën hetimore edhe pse hetimi zyrtarisht nuk është hapur.
Rada Trajkoviq, politikane dhe këshilltare aktuale e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, thotë se “është ironike që kufiri më i fortë i Serbisë është ai me Kosovën, edhe pse pretendon se është pjesë përbërëse e saj”.
Ajo, personalisht, shpesh ndalohejnë vendkalime nga strukturat serbe të sigurisë.
“Ata kanë listën e tyre të serbëve të papërshtatshëm, të cilët nuk janë nën kontrollin e Milan Radoiçiqit. Të gjithë ata njerëz i kanë futur në lista, disa prej tyre nuk kanë lidhje me politikën, por kanë të bëjnë me vendosmërinë për të jetuar normalisht, për të pasur vetura me regjistrime të Kosovës; që mund të lëvizin lirshëm pa frikë se dikush do t’i ndalojë”, thotë ajo.
Milan Radoiçiq është nënkryetari i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Trajkoviq thekson se nuk ka asnjë person të vetëm në Kosovë që të mos ketë një anëtar të familjes në Serbi dhe shpjegon se serbët e Kosovës janë të “lidhur” me Serbinë për shumë arsye të tjera, siç është shkuarja për trajtim mjekësor apo arsim.
Në këtë kontekst, Trajkoviq thotë se pas këtyre arrestimeve të fundit, shumë do të kenë frikë ta kalojnë kufirin me Serbinë.
“Për shkak të diskriminimit dhe asaj mospërshtatshmërie politike, ata ju futën në një nga listat e tyre të zeza. Nuk është veprimtari armiqësore kundër shtetit, është, siç e përkufizojnë ata, pabesi partiake ndaj Partisë Përparimtare Serbe”, konsideron Trajkoviq.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Partisë Progresive Serbe me kërkesë që të komentojë akuzat që bashkëbiseduesit po i bëjnë, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë asnjë përgjigje.