Federata serbe e futbollit është gjobitur nga FIFA të mërkurën për deklarata politike në Kampionatin Botëror.
Trupa më e madhe e futbollit botëror e ka gjobitur federatën serbe me 20.000 franga zvicerane (20.260 euro) për “një pankartë politike për Kosovën fqinje të shfaqur në dhomat e zhveshjes përpara se të luante Brazilin në ndeshjen hapëse të ekipit”- shkruan AP.
Serbët kishin shfaqur flamurin e tyre me një hartë që përfshinte territorin e Kosovës me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA për flamurin që ishte vendosur mbi dollapët e dy lojtarëve të Serbisë më 24 nëntor.
Në anën tjetër, FIFA e ka gjobitur me 50.000 franga zvicerane Federatën e Kroacisë, pasi tifozët e ekipit abuzuan verbalisht dhe talleshin me portierin kanadez Milan Borjan, i cili ka lidhje familjare serbe.
Nga organizata kanë thënë se gjoba për kroatët lidhej me “përdorimin e fjalëve dhe objekteve për të transmetuar një mesazh që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive”.
FIFA gjithashtu gjobiti Arabinë Saudite me 30.000 franga zvicerane për sjellje jo të mirë të ekipit, pasi mori gjashtë kartonë të verdhë në ndeshjet kundër Argjentinës dhe Meksikës.