Bashkimi Evropian ka thënë për Tëvë1 se nuk kanë ndonjë informacion në lidhje me raportimin se Serbia ka përpiluar një listë emrash të punonjësve serb në institucionet e Kosovës, gjegjësisht në komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
“Nuk kemi marrë ndonjë informatë/njoftim zyrtar për këtë rast të pretenduar të presionit të mundshëm ndaj punëtorëve komunalë në Zubin Potok. Në përgjithësi, ne presim që Kosova dhe Serbia të nxisin një mjedis të favorshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim për të mirën e qytetarëve të tyre”, thuhet në përgjigjen e BE-së për televizionin.
Tëvë1 ka mësuar ekskluzivisht se para disa javësh, disa punonjës në Administratën e komunës së Zubin Potokut, janë ndaluar nga autoritetet serbe për tu marrë në pyetje.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri i cila tha se 5 punonjës të tij janë ndaluar nga autoritetet serbe për tu marrë në pyetje.