Në Serbi prej sonte në ora 20:00, e deri të hënën më 22 mars, do të punojnë vetëm dyqanet ushqimore, barnatoret dhe pompat e benzinës, deklaroi kryeministrja Ana Brnabiç, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne kemi vendosur që prej sonte gjithçka të mbyllet, ndërsa prej të hënës do të shohim. Nuk do të ketë orë policore as ndalesë të lëvizjes”, tha Brnabiç pas seancës së Shtabit të krizave për luftë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Beograd, i mbajtur për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend.
Ajo theksoi se në Serbi do të punojnë dyqanet ushqimore, pompat e benzinës dhe gjithçka që është e nevojshme për “pak a shumë jetën normale”, siç ishte rasti me fundjavën e kaluar.
Sipas saj, u arrit një zgjidhje kompromisi, sepse në këtë moment masat janë në fuqi për pesë ditë, ndonëse pala mjekësore kërkoi që ato të miratohen për një periudhë prej 14 ditësh.
“Nëse ato do të zgjaten nga e hëna varet nga të gjithë ne”, tha ajo dhe bëri thirrje për disiplinë maksimale nga të gjithë.
Në ditët e fundit, më shumë se 4.500 infeksione të reja janë regjistruar në Serbi në nivel ditor, si dhe më shumë se 20 vdekje për shkak të virusit. Deri më tani, janë regjistruar gjithsej 520.911 raste të infektimit me koronavirus dhe 4.747 vdekje.