Serbia do t’i paguajë qytetarët e saj për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, në përpjekje për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.
Presidenti Aleksandar Vuçiq, teksa shpalli planin, tha se rritja ekonomike varet nga vaksinimi i popullsisë.
Sipas programit stimulues, Qeveria do të paguajë 3,000 dinarë (30 dollarë) për këdo që merr të paktën një dozë të vaksinës deri në fund të majit.
Mesatarisht, serbët fitojnë pak më shumë se 600 dollarë në muaj.
Vuçiq tha se Qeveria nuk mund t’i diskriminojë njerëzit në bazë të vaksinimit, por ai i përshkroi ata që refuzojnë të marrin vaksinën si “të papërgjegjshëm dhe egoistë”.
“Kjo është arsyeja përse kemi menduar t’i shpërblejmë njerëzit që tregojnë përgjegjësi”, tha ai.
Vuçiq gjithashtu tha se punonjësit shtetërorë, të cilët nuk janë të vaksinuar dhe sëmuren me koronavirus, nuk do të mund të marrin leje me pagesë.
Serbia renditet në mesin e vendeve me vaksinimin më të madh të popullsisë, por si kudo tjetër ritmi i administrimit të dozave ka rënë javëve të fundit.
Sipas shifrave të Qeverisë serbe, 1.3 milion njerëz janë vaksinuar plotësisht me vaksinat Sinopharm, Pfizer, Sputnik V ose AstraZeneca.
Serbia ka një popullsi prej rreth 7 milionë banorësh. /rel