Serbia dyshohet se është duke vazhduar armatimin në mënyrë të fshehtë. Sipas raportimeve të fundit në Mal të Zi, një kompani serbe ka maskuar automjete ushtarake nga Kina si “makina ndërtimi”.
Për disa javë, më shumë se 20 kamionë të importuar nga kompania serbe “Millennium Team” janë ndaluar në Doganën në portin e Tivarit në Mal të Zi. Sipas raportimit të “Pobjedas”, bëhet fjalë për automjete ushtarake – si bartës të raketave – nga të cilat janë hequr raketëhedhësit, ndërsa në Doganë janë paraqitur si “makina ndërtimi”.
Burimet e këtij mediumi në Mal të Zi kanë bërë të ditur se automjetet janë lyer me ngjyrë të verdhë jashtë, ndërsa brenda kanë ngjyrë të gjelbër, sikur automjetet ushtarake.
Dogana ka konfirmuar se mjetet janë ndaluar në portin e Tivarit.
“Në lidhje me çështjen për automjetet e sjella në portin e Tivarit, duam të theksojmë se nuk janë lejuar të dalin në qarkullim e as s’ka tendencë të tillë për qarkullim të lirë në Mal të Zi. Automjetet janë sjellë në portin e Tivarit, si tranzit nga Mali i Zi në destinacionin përfundimtar”, thuhet në përgjigjen e autoriteteve doganore të Malit të Zi.
Aty theksohet se automjetet janë sjellë për të kaluar dokumentacionet si makineri ndërtimi, ndërsa dogana ka kërkuar dokumente shtesë për to. Në ndërkohë, automjeteve mësohet se u është dhënë leje që të vazhdojnë rrugën për në Serbi.
Sipas “Pobjedas”, automjetet janë importuar nga Kina për kompaninë serbe “Millennium Team”.
Një burim i këtij mediumi ka thënë se nuk është çudi nëse tash Serbia blen ndaras lansuesit e raketave.
Dogana nuk është përgjigjur nëse automjetet janë ushtarake të importuara prej Kinës.
Vetë kompania serbe ka thënë se është në proces të blerjes së “makinerisë së ndërtimit dhe kamionëve” nga Kina. Sipas saj, po blihen 24 kamionë.
Kompania ka thënë se pajisjet s’janë për përdorim ushtarak “por ekskluzivisht për qëllime civile”.
Burimet e “Pobjedas” kanë thënë se janë skeptikë se blerjet janë për qëllime tjera duke kujtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vazhdimësi ka kërcënuar me armatim.
Kompania në fjalë, sipas raportimit, është e njohur për lidhjet me pushtetin në Serbi. Sipas raportimeve në Serbi, pronarët e kompanisë janë njerëz besnikë të Vuçiqit.